English

Ujërat shqiptare përballë trillimeve primitive

Nga Sali Berisha*

Kryeministër

Edhe me qëndrime të tjera, ne kemi faktuar ndjeshmërinë tonë ndaj jush, respektin për meritat tuaja. Këtë muaj, çdo pensionist i Belshit dhe i fshatrave të Elbasanit dhe të mbarë Shqipërisë, merr një pension 2 herë më të lartë sesa merrte në vitin 2005. Çdo pensionist që në vitin 2005 merrte 3600 lekë, sot merr 72 mijë lekë.

Kjo përbën një ndryshim shumë të madh. Sot nuk kemi pensionist në fshat që të marrë nën 2 dollarë në ditë. Kjo përbën një arritje për ne, sepse vetëm këtë muaj, me këto pensione, ne i kemi larguar nga varfëria 170 mijë familje në mbarë fshatrat shqiptare, 200 mijë familje të tjera kanë dalë gjatë katër viteve. Pra, ne i kemi bërë një luftë të vendosur varfërisë

Në katër vite, unë besoj se çdo njeri që i thotë ndryshimit ndryshim, ditës ditë, e pranon se Shqipëria ka ndryshuar më mirë dhe më shpejtë se kurrë në historinë e saj.

Sot, ne mblidhemi së bashku këtu me një Shqipëri anëtare të NATO-s, me një Shqipëri më të sigurt se kurrë, sot mblidhemi së bashku me një Shqipëri që ka aplikuar për anëtare të Bashkimit Europian.

Sot mblidhemi këtu me një Shqipëri që në vitin e parë të mandatit të dytë, do të ketë liberalizimin e plotë të vizave dhe qytetarët e saj do të lëvizin në mbarë Europën.

Sot ne mblidhemi së bashku këtu, kur për çdo shqiptar që lëviz në vendin e tij, konstaton dhe kënaqet, se sheh që kudo, ky vend, rrugët e tij, ujësjellësit e tij, shkollat e tij, janë në ndërtim dhe rindërtim. Kemi ndërtuar dhe rindërtuar në 4 vite 1012 shkolla, ndërkohë që ato që kanë mbetur ende pa u rindërtuar apo ndërtuar janë më pak. Kemi shtrirë internetin në çdo shkollë. Kemi dyfishuar pagat e mësuesve të fëmijëve tuaj, kemi dyfishuar pagat e infermierëve dhe mjekëve që kujdesen për ne.

Kemi bërë rritjen më të madhe te pensioneve në fshat dhe dua t'i garantoj pensionistët e fshatit se në mandatin e dytë pensionet e tyre do të barazohen me ato të qytetit, sepse ata kanë derdhur lumenj djerse e mundi në kooperativat bujqësore dhe fermat e shtetit totalitar. Ata e meritojnë plotësisht, ndaj ne do të barazojmë pensionet në mandatin e dytë.

Në mandatin e dytë ne do t'i japim Shqipërisë rrjetin rrugor më të ri dhe më modern në Europë. Në mandatin e dytë ne do të ndërtojmë boshtin e jugut, që kalon nëpër trevën tuaj dhe që afron Sarandën me Tiranën.

Në mandatin e dytë do të përfundojë asfaltimi i rrugëve në Shqipëri. Çdo fshat do ta lidhim me qendrat e komunave me rrugë të asfaltuara. Por në mandatin e dytë, ne, me investimet tona, do të bëjmë që çdo shtëpi të ketë ujin e pijshëm brenda në shtëpi. Ky është zotimi ynë për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale të Shqipërisë. Kjo është alternativa jonë që nuk bazohet në fjalë por në vepra dhe fakte, të cilat prekin jetën e fëmijëve tuaj, buxhetin e familjeve tuaja, përmirësojnë jetën tuaj në fshat dhe kudo që jeni. Ato i japin Shqipërisë një emër të mirë, e bëjnë atë të besueshme dhe bëjnë të mundur që shqiptarët të lëvizin të lirë, pa viza, në mbarë Europën.

Ka një alternativë tjetër paralel me këtë; alternativa e fjalëve, mashtrimeve, gënjeshtrave, alternativë e cila përpiqet të nxijë gjithçka. Ne rrisim rrogat dhe pensionet, ata bërtasin varfëri, varfëri, ata përhapin lajme se ne nuk do të anëtarësohemi, organizojnë mitingje për të protestuar. Ne aplikojmë për vend kandidat në BE dhe për vizat, ata bërtasin përse aplikoni. Por, si mundemi të mos aplikojmë kur kjo është ëndërr e çdo shqiptari? Ne e kishim ëndërr të ishim anëtarë të NATO-s, ëndërr e kemi të jemi anëtarë të BE-së, ndaj ne do të vazhdojmë,pavarësisht se çfarë duan ata.

Në përçartjet e tyre unë do të veçoja një: thirrjen e tyre gjatë muajit prill që të mos rriteshin rrogat dhe pensionet. Ne e dëgjuam thirrjen e tyre dhe nuk rritëm rrogat dhe pensionet më të larta, të ministrave dhe deputetëve, rritëm rrogat dhe pensionet tuaja, ashtu siç kishim parashikuar. Mund të shtroni pyetjen, si ka mundësi që një opozitë të kërkojë mosrritje rrogash dhe pensionesh. Por si do ta luftojnë ata varfërinë pa rritje rrogash dhe pensionesh?. Pra, opozita e tyre është opozitë e skupeve, e trillimeve.

Në Shqipëri ndodhi akti politik më madhor në historinë e marrëdhënieve të Shqipërisë me SHBA. Presidenti i tyre vizitoi Shqipërinë. Shqiptarët i tregojnë atij dashurinë dhe respektin më të madh, mirënjohjen më të thellë për Presidentin amerikan, sepse vlerësuan se ai, në momentet më kritike për kombin shqiptar, ndërhyri me vendime shpëtuese për ne. Por çfarë bëri opozita?. Opozita tha që shqiptarët i vodhën orën Presidentit, për të krijuar një lajm të turpshëm për shqiptarët.

Vazhdojmë më tej. Ne po merrnim ftesën për në NATO, që për Shqipërinë dhe Kroacinë ishte lajmi më i madh i Samitit të Bukureshtit. Por mediat që kishte sjellë opozita atje, informonin se Shqipërisë nuk do t'ia japin ftesën. Por, çfarë u mbeti atyre kur pas gjysmë ore e morëm ftesën?

Kryeministri i vendit mik, Greqisë, ku punojnë rreth 1 milionë shqiptarë erdhi për një vizitë miqësore në Shqipëri. Në mënyrën më të përsëritur ai shprehu mirënjohjen për punën dhe kontributin e tyre në Greqi dhe natyrisht unë, në emrin tuaj, shpreha mirënjohjen time më të thellë për punën dhe ndihmën e tyre për Shqipërinë. Por opozita vazhdoi të thoshte: Berisha i dha ujërat shqiptare. Këto ishin trillime primitive që edhe nxënësi i klasës së pestë, me kompas, është në gjendje të provojë se ato janë ndarë në bazë të ligjit dhe se nuk ka pasur asnjë milimetër devijim. Kjo është një gjë e turpshme.

Ju e keni ndjekur betejën që kanë bërë kundër Skënderbeut. Mirë me mua dhe kundërshtarët e tjerë politikë, por e pyes veten çdo dite; po me Skënderbeun çfarë patën këta? Çfarë borxhi i kishte Skënderbeu këtyre? Skënderbeun, hero kombëtar dhe botëror e bëri lufta e tij, e beri qëndresa e tij. Skënderbeun hero botëror e bëri Europa që shkroi për të me mijëra libra, ndërkohë kur shqiptarët nuk kishin mundësi të shkruanin më shumë se 2-3 libra. Atëherë çfarë desh kjo soj opozite që sulmoi Skënderbeun? Kjo nuk është e paqëllimshme. Kjo ka një arsye, ka një fakt të madh. Skënderbeu nuk është vetëm e shkuara jonë, nuk është vetëm legjenda jonë, Skënderbeu është e sotmja dhe e ardhmja jonë, është vokacioni ynë perëndimor, është simboli i qëndresës sonë për liri e dinjitet. Jo më kot sulmohej Skënderbeu dhe nga njerëz të cilët vetëm pak vite më parë deklaronin lartë e poshtë rrugëve të Europës se e kanë për turp të quhen shqiptarë. Kjo është e vërteta. Ata mbanin në shtëpi bunkerë kartoni për të thënë se shqiptarët janë si ky bunker. Bunkerët ishin një problem që na i imponuan, por le të vinë e të shohin dhe të hapin sytë; shqiptarët po ndërtojnë rrugë, vila, ujësjellës, shkolla, po luftojnë dhe po përpiqen çdo ditë për t'u bërë si kombet e tjera.

(*) Fjala e mbajtur me banorët e zonës së Dumresë, Elbasan
KOMENTE