Gjirokastër, 10 maj NOA - Një emigrant ka rënë pre e dhunës së një të riu, pasi "guxoi" ta parakalonte atë me makinë.
Ngjarja ndodhi në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë në vendin e quajtur Korchoce, kur 26-vjeçari Miço Kurro, lindur në Tepelenë e banues në Gjirokastër, ka ndaluar automjetin me të cilin po udhëtonte dhe ka dhunuar një person.
Burime nga policia thanë për agjencinë e lajmeve NOA se Kurro ka nisur një debat me shtetasin me iniciale Th.M, pasi ky i fundit e parakaloi me makinë.
Mësohet se Th.M, ishte emigrant në Greqi dhe kishte ardhur në Shqipëri për pushime me rastin e festës së Pashkëve dhe po kthehej sërish në tokën helene.
Por gjatë rrugës ai është përballur me 26-vjeçarin Miço Kurro i cili është irrituar kur është parakaluar me automjet nga emigranti.
Pas fjalëve të ndërsjella, Kurro  i ka thyer xhamin e makinës emigrantit dhe e ka goditur atë me grushte.
Pas denoncimit të marrë i dëmtuar, policia nisi hetimet duke identifikuar dhe kapur autorin e këtij incidenti.
Miço Kurro akuzohet për veprën penale të "Shkatërrimit të Pronës".
k.k/NOA