Durrës, 10 maj NOA - Policia e Durrësit ka identifikuar autorët e dyshuar të vrasjes së kambistit i cili u ekzekutua me breshëri automatiku dje në hyrje të banesës së tij në Durrës.
Në orët e para të ditës së sotme oficerët e policisë kriminale kanë mundur gjejë dhe armën me të cilën u qëllua 45-vjeçari.
Burime nga policia thanë se efektivat blu të Durrësit nisën menjëherë hetimet për të zbardhur rrethanat dhe ekzekutorët e kampistit Agush Hyzoti.
Vrasja e 45-vjeçarit Hyzoti ka shokuar familjarët dhe banorët e pallatit të tij të cilët kanë qenë dëshmitarë në këtë ngjarje.
Sipas dëshmive të tyre dhënë në polici, kanë qenë dy persona të armatosur të cilët i janë afruar kampistit dhe kanë zbrazur një breshëri automatiku në drejtim të tij duke e lënë të vdekur në vend.
Burime nga policia thanë për agjencinë NOA se oficerët e policisë kriminale shoqëruan në komisariat shumë persona si autorë të dyshuar të ngjarjes por pasi u morën në pyetje ata u lanë të lirë për mungesë provash.
Ndërkohë që policia bëri të ditur se në orët e para të ditës së sotme u gjet arma me të cilën u ekzekutua kambisti dhe hetimet intensive zbardhën dhe identitetin e tre personave si autorë të dyshuar të krimit të cilët aktualisht ndodhen në ambientet e policisë së Durrësit.
Policia nuk ka dhënë detaje të mëtejshme për motivin dhe identitetin e të ndaluarve për arsye hetimi.
k.k/NOA