English

Islami: PS, shqetësim për synimet e mbrapshta të qeverisë në procesin e kartave

Tiranë, 10 maj NOA - Sekretari për Çështjet Zgjedhore të PS-së, Kastriot Islami ka deklaruar sot se sistemi i zyrave të aplikimit akoma nuk është shtrirë në të gjithë vendin dhe në disa raste zyrat e aplikimit nuk janë funksionale duke rrezikuar seriozisht procesin.

"Situata paraqitet alarmante në bashkitë e vogla dhe komunat e thella të 17 rretheve, pra pothuajse në gjysmën e vendit, ku shifra e aplikimit është nën 25 për qind. Situata duket pa shpresë për të realizuar objektivin e pajisjes se çdo votuesi pa pasaportë me letërnjoftim në njësitë vendore të drejtuara nga PD. Drejtuesit e tyre në shumë raste pengojnë me mënyra të ndryshme zbatimin e VKM dhe votuesit të aplikojnë, nuk mungojnë rastet kur veprimi është selektiv", u shpreh Iskami.

Sipas tij, vendet me problematike në këtë fazë të procesit janë zyrat e postave të cilët në shumicën e rasteve nuk respektojnë vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave dhe janë kthyer në penguesit kryesorë të procesit dhe po demotivojnë në këtë fazë votuesit për të aplikuar.

"Tejet shqetësues është veprimi i punonjësve të shërbimit postar pothuajse kudo me të gjithë votuesit pa pasaportë që ndodhen jashtë listave të ministrisë së Brendshme. Pas vonesave të ministrisë së Brendshme për të qartësuar numrin e saktë të votuesve pa pasaportë përtej shifrës 730 mijë duket se pengesat e vonesat në këtë fazë po kryhen nga punonjësit e shërbimit postar. Nga analizat tona paraprake kërkohet mesa duket të maskohet qëllimi i lënies jashtë pajisjes me letërnjoftimi përmes pengimit të votuesve të kësaj kategorie" shtoi më tej Islami.

Ai ripërsëris thirrjen politike të PS, drejtuar të gjithë votuesve pa pasaportë për aplikim duke iu kujtuar se 200 lekë dhe sakrificat përkatëse janë shumë pak për të hequr Berishën nga pushteti në 28 qershor 2009.

"Rikujtoj të gjithë aplikantët se qeveria e PS e dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit do t'ua ktheje 200 lekëshin e kësaj takse të vendosur nga qeveria Berisha" tha Islami.

k.k/NOA

KOMENTE