English

Legaliteti mbledh Këshillin Kombëtar: Kandidatët, kompetencë vetëm e bazës

Tiranë, 10 maj NOA - Partia "Lëvizja e Legalitetit" ka mbledhur sot Këshillin Kombëtar për të miratuar listat shumë-emërore të kandidatëve me të cilat PLL do të konkurrojë në zgjedhjet e 28 qershorit në të 12 qarqet e vendit.

Gjithashtu Këshilli Kombëtar do të miratojë edhe programin elektoral të PLL.

Ky është një veprim normal procedural dhe statutor që do t'i hapë rrugën kalimit në fazën më të rëndësishme të fushatës elektorale, ku kandidatët e miratuar do të zhvillojnë takime intensive me elektoratin për të prezantuar programin e PLL dhe platformat e tyre elektorale duke kërkuar prej zgjedhësve shqiptar votat në emër të partisë "Lëvizja e Legalitetit".

"Lëvizja e Legalitetit" është partia e vetme e cila i ka lënë kompetencë të plotë strukturave të bazës për të propozuar dhe përzgjedhur emrat e kandidatëve, për t'i renditur ato në listat shumë-emërore dhe për të caktuar mekanizma stimulues e konkurrues që do të nxisin një garë ndërmjet kandidatëve për një rezultat sa më të lartë. Kjo është shprehje e demokracisë së thellë që ekziston brenda partisë "Lëvizja e Legalitetit" dhe tregues i qartë i pjekurisë së lartë politike të strukturave lokale të cilat arritën që të përmbushin me sukses objektivin për përzgjedhjen e 140 kandidatëve në të 12 qarqet e vendit.

Pas miratimit nga ana e Komitetit Drejtues të kritereve bazë, kalendarit të veprimeve dhe përshtatjes së strukturave në nivel qarku sipas specifikës së kodit të ri zgjedhor, organet e bazës nën drejtimin e sekretarëve koordinativ filluan punën për përzgjedhjen e kandidatëve. Si rezultat i këtij procesi ne kemi sot një listë prej 140 kandidatësh të ndarë në 12 qarqe e cila pret të miratohet prej Këshillit Kombëtar që është organi kompetent për miratimin përfundimtar të tyre.

Partia "Lëvizja e Legalitetit" ka marrë pjesë rregullisht në të gjitha zgjedhjet e mëparshme parlamentare, por asnjëherë më parë nuk ka pasur një listë më të madhe dhe më cilësore se sa lista e kandidatëve që do të paraqitet sot për miratim në Këshillin Kombëtar.

Në përbërjen e listës së kandidatëve bie në sy jo vetëm përmbushja e detyrimit ligjor që 30% e kandidatëve t'i përkasë secilës gjini, por edhe përfshirja në to e mjaft intelektualëve të njohur nga bota akademike, drejtësia, ekonomia, kultura, arti, shoqëria civile, etj.

Partia "Lëvizja e Legalitetit" ka veçantinë se për atë do të konkurrojnë kandidatë të ardhur nga SHBA dhe vende të tjera perëndimore si përfaqësues të mërgatës së vjetër politike por edhe të emigracionit të ri.

Partia "Lëvizja e Legalitetit" thotë se është e bindur që ky ekip i kandidatëve të saj për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit do të kontribuojë dukshëm për rezultatin e elektoral të PLL dhe fitoren e koalicionit të djathtë në përgjithësi.

"Fitorja e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe ripërtëritja e mandatit qeverisës do të na krijojë mundësinë që sipas marrëveshjes elektorale me Partinë Demokratike të jemi partnerë në bashkëqeverisjen e vendit, në hartimin e programit qeverisës dhe përfaqësimit në të gjitha nivelet e qeverisjes së vendit në përputhje me peshën politike që do të dëshmohet nga zgjedhjet e 28 qershorit", - deklaroi në mbledhje, kryetari i PLL, Ekrem Spahiu.

Ai theksoi se Partia "Lëvizja e Legalitetit" është e përgatitur që në qeverisjen e ardhshme "të japë një kontribut maksimal në institucionet që kanë të bëjnë me autoritetin e shtetit dhe zbatimin rigoroz të ligjit, por pa lënë mënjanë edhe institucionet që kanë të bëjnë me rehabilitimin dhe integrimin e plotë të ish-të burgosurve dhe të përndjekurve politikë apo zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronës".

e.l/NOA

KOMENTE