English

Ministria e Brendshme flet mbi procesin e pajisjes me letërnjoftime elektronike

Tiranë, 10 maj NOA - Ministria e Brendshme deklaroi sot se procesi është i shtrirë në të gjithë territorin e vendit.

Kurse pohoi se pas kërkesës së autoriteteve zyrtare shqiptare, konçesionari ka shtuar kapacitetet e aplikimit përtej atyre të parashikuara në kontratën e lidhur për këtë proces.

Janë mbi 50 stacione aplikimi të hapura më shumë se parashikimi. Për herë të parë realizohet një proces i cili u ofron shërbimin qytetarëve 7 ditë të javës dhe duke punuar me orare të zgjatura gjatë ditës së punës.

Kapacitetet e aplikimit dhe prodhimit të letërnjoftimeve elektronike janë në kuotat maksimale, respektivisht 22 mijë dhe 20 mijë në ditë.

Për shkak të këtij intensiteti deri më tani kanë aplikuar më shumë se 850 mijë qytetarë dhe janë prodhuar mbi 650 mijë letërnjoftime elektronike.

Në bazë të vendimit më të fundit të qeverisë janë 15 mijë qytetarë shqiptarë të cilët kanë tërhequr kuponët me 200 lekë pranë zyrave të shërbimit postar në të gjithë vendin.

Ministria e Brendshme në mënyrë të vazhdueshme u ka paraqitur përfaqësuesve të opozitës në komisionin e posaçëm parlamentar informacione të detajuara për ecurinë e procesit, përfshirë listat emërore të të gjithë qytetarëve pa pasaportë që kanë aplikuar deri më tani.

Ministria e Brendshme sqaron se të gjithë qytetarët që do të paraqiten për të aplikuar për letërnjoftime elektronike, kanë të garantuara të gjitha kapacitetet dhe lehtësitë e krijuara nga qeveria shqiptare për t'u pajisur me letërnjoftim elektronik.

e.l/NOA

KOMENTE