Shkodër, 10 maj NOA - Një banesë u përfshi nga flakët në qytetin e Shkodrës kurse një elektricist që po kryente atje punime, i shpëtoi djegies për së gjalli nga ndërhyrja e forcave zjarrfikëse.
Burime nga policia vendore, i thanë sot agjencisë së lajmeve NOA se ngjarja ndodhi në një apartament në lagjen "Xhabije" të qytetit Shkodër.
Flakët përfshinë banesën e Bardhok Dodës, ndërsa brenda saj, një elektricist po kryente punime instalimi, në rrjetin e brendshëm elektrik.
Në një moment ende të paqartë, një qark elektrik ka përfshirë apartamentin duke shkaktuar flakë që u përhapën gjerësisht.
Për pasojë edhe elektricisti që ndodhej në punë e sipër, pësoi djegie të një shkalle të ulët.
Forca të repartit për Mbrojtjen Kundër Zjarrit mbërritën shpejt në vendngjarje, duke bërë të mundur nxjerrjen e elektricistit, i cili u dërgua për mjekim në spitalin vendor, pa rrezik për jetën.
Një grup hetimor shkoi në vendngjarje dhe tha se po punon për gjetjen e shkakut të këtij zjarri.
Paraprakisht, mendohet se pakujdesia në punë e elektricistit, shkaktoi zjarrin me dëme të konsiderueshme materiale në banesën e familjes Doda.
r.d/NOA