Nga Jozefina Topalli*
Kryetare e Kuvendit
Në jetën time kurrë ndonjëherë nuk jam ndier kaq krenare në qytetin tim sa sot. Vërtet pas 4 vitesh, por e kemi bërë qytetin tonë një Shkodër të bukur, një Shkodër që ndriçon, një Shkodër që është dritë, një Shkodër zonjë, një Shkodër të bukur, si ata të rinjtë që janë aty në lozhë, në galeri, një Shkodër të re, si të rinjtë dhe të rejat që janë këtu, jashtë kësaj salle, që janë kudo, apo në çdo qytet të Shqipërisë.
Unë dua t'ju falënderoj dhe nuk do të rresht kurrë së falënderuari secilin prej jush, çdo burrë shkodran, çdo zonjë shkodrane, çdo të ri, çdo pensionist, e mbi të gjitha çdo anëtar të PD-së. Është merita juaj, është mbështetja juaj, është motivi që na keni dhënë, është kurajoja që ju na keni dhënë, që ka bërë të mundur që jo vetëm Shkodra të ndryshojë, Shqipëria të ndryshojë, Shkodra të zbukurohet, Shqipëria të zbukurohet, Shkodra të bëhet më e re, Shqipëria të bëhet më e re. Kurrë nuk kam qenë më krenare sa sot, që e shoh vendin tim të bëhet anëtar me të drejta të plota në NATO. Ju shkodranë: a nuk ishte kjo ëndrra e gjyshërve tanë? A nuk ishte kjo ëndrra, për të cilën sakrifikuan njerëzit tanë dhe njerëzit tuaj? A nuk ishte kjo ëndrra për të gjithë ata që u dergjën në burgje, u burgosën, u internuan, u varën, u ekzekutuan? Ne bijtë e tyre sot jemi këtu, si qytetarë të lirë të një vendi që është bërë anëtar i NATO-s. Nuk ka gjë më të bukur, nuk ka gjë më të rëndësishme, për të cilën ne jemi krenarë, dhe nuk është vetëm kjo. Unë ua them edhe atyre që nuk janë anëtarë të Partisë Demokratike, historinë e këtyre 20 viteve e ka bërë Partia Demokratike. Kërkesën për t'u anëtarësuar në Këshillin e Evropës e ka bërë Sali Berisha, anëtarësimin në Këshillin e Europës e ka bërë Sali Berisha, kërkesën e parë në vitin 1992 për t'u anëtarësuar në NATO e ka bërë Sali Berisha, anëtarësimet, firmat në institucionet e ndryshme, në OKB, në FMN, në BB, i ka bërë të gjitha Presidenti i asaj kohe, Sali Berisha. Pastaj firmosjen e MSA-së, menjëherë pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike, dhe me radhë firmosjen nga Kryeministri Berisha, ratifikimet dhe firmosjen në çdo parlament, në çdo senat të vendeve të BE-së. Nuk ka një vend tjetër përreth nesh që të ketë realizuar ratifikimin e MSA-së në Parlamente dhe senate për një periudhë rekord, siç e ka bërë Shqipëria. Kjo për shkak të reformave të mëdha, të reformave të guximshme, reforma që vetëm një lider si Kryeministri Berisha mund t'i ndërmerrte dhe t'i implementonte. Nuk ka një vend tjetër që të ketë bërë të mundur që brenda një muaji, dhe kjo ka ndodhur në prill, muajin që sapo lamë pas, të realizojë anëtarësimin në NATO dhe të dorëzojë ftesën për statusin e vendit kandidat të Shqipërisë për anëtare në BE. Historia e këtyre 18 viteve është historia e Partisë Demokratike, historia e ndryshimeve të jashtëzakonshme, e transformimeve të pamasa, siç i quan sekretari i NATO-s, Schepper, i cili sot vjen në Tiranë, të cilat janë bërë të mundura vetëm prej një vullneti të fortë, një këmbëngulje të fortë, një kurajoje, mbi të cilën ne kemi bazuar besimin dhe votën që na kanë dhënë shqiptarët. Kam lexuar një ditë në gazetë ku thuhej se babai i Shqipërisë moderne është Sali Berisha, pasi e kam lexuar kam thënë si nuk e kam artikuluar unë më parë. Në fakt, kjo është një e vërtetë e madhe. Ajo që ka ndodhur gjatë këtyre viteve është ajo që ne donim, ëndërronim, por thellë në shpirt ndoshta mendonim se ishte e pamundur për t'u realizuar. Është e rëndësishme që një vend në krye të ketë një njeri që është serioz, një njeri që e mban fjalën, që i mban premtimet. A e dini cila është diferenca kryesore midis Partisë Demokratike dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës? Diferenca kryesore është motivi që ne na çon para, në çdo përpjekje, në çdo reformë, në çdo ndërmarrje. Kjo është sepse ne e duam këtë vend, unë e dua Shkodrën, unë e dua Shqipërinë, sepse ju e doni Shkodrën, Shqipërinë, Tiranën, Durrësin, Korçën. Çdo gjë e bëjmë duke parë këtë yll polar përpara. Cili është motivi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës? Ka vetëm një motiv: ryshfetet. Ka vetëm një motiv: korrupsionin. Ka vetëm një motiv: 15 përqindëshin, por 15 përqindëshi do të thotë të të blejnë more vëllezër. Një vlerë nuk mund të ketë kurrë motiv, kur je i blerë, nuk mund të ketë kurrë motive, nuk mund të jetë kurrë lider. Kur je i blerë, nuk mund të udhëheqësh kurrë një parti, as edhe një parti dhe aq më pak një vend. Ndaj dhe diferenca midis nesh është si dy paralele të cilat nuk bashkohen kurrë me njëra-tjetrën. Ndaj dhe historia e Shqipërisë është historia e Partisë Demokratike. Në Samitin e Strasburgut pata fat që isha dhe dëgjova Presidentin e SHBA-së, i cili thoshte për Shqipërinë dhe Kroacinë se këto vende e merituan që të bëheshin anëtare të NATO-s, për shkak të ndërmarrjeve të jashtëzakonshme dhe të ndryshimeve të mëdha që ato kanë realizuar. Së bashku kemi ndjekur Kryeministrin Berisha kur ishte në Berlin, gjatë vizitës zyrtare me Angela Merkel dhe ajo i tha: "Ju, zoti Kryeministër, keni marrë shpërblimin e reformave të vështira që ju keni iniciuar." Dy ditë përpara se të bëhej Samiti i Strasburgut, natyrisht në çdo parlament të botës, bëheshin mbledhje dhe pa dyshim merreshin "ok" në parlament, në Bundestag dhe Bundestrat, për ta anëtarësuar Shqipërinë dhe Kroacinë në NATO. Përsëri Angela Merkel në Bundestag, duke mbajtur fjalimin dhe duke kërkuar mbështetjen, grupit të vet dhe deputetëve gjermanë, për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.  Përsëri Angela Merkel, në Bundestrag, duke mbajtur fjalimin dhe duke kërkuar mbështetjen e grupit të vet dhe të deputetëve gjermanë, për anëtarësimin e Shqipërisë dhe të Kroacisë në NATO, ku në atë mbledhje gjeti të citojë vetëm Kryeministrin Berisha që e shihte NATO-n, si një mundësi, kur vendet dikur armike të bëheshin partnere. Pastaj kemi takimin e Kryeminstrit Berisha me Presidentin Sarkozi, më besoni që nuk është e thjeshtë që Presidenti i Francës të të japë një takim, për një periudhë kaq të shkurtër dhe pikërisht përpara zgjedhjeve. Ato i mendojnë mirë gjërat. Jo vetëm kaq, në ato takime u projektuan marrëveshje të mëdha ekonomike, sepse nuk ka gjë më të rëndësishme për këtë vend se sa të bësh të mundur që të hyjnë investimet e huaja. Po në atë takim Presidenti Sarkozi premtoi se do të mbështesë Shqipërinë pas aplikimit të saj për vendin e statusit kandidat, pastaj, për atë që për ne shqiptarët është gjeja më e rëndësishme, liberalizimin e vizave. Nuk ka gjë më të rëndësishme për një komb që një të tretën e popullsisë e ka jashtë. Ne jemi një vend që vijmë nga një histori mbijetese, historia jonë nuk është histori zhvillimi, siç ka qenë histori zhvillimi e vendeve të tjera që na rrethojnë. Për shkak të kësaj historie një të tretën e kombit tonë, ne vetëm dhe vitet e fundit e kemi jashtë kufijve tanë, e kemi në Greqi, Itali, Francë. Kush më mirë se e di, ne kemi familjarët tanë aty, kemi motrën, vëllain, kushërirën, kushëririn. Ne nuk i kemi në Shqipëri dhe për familjarët, për nënën e këtyre fëmijëve, për motrën dhe për vëllain, nuk ka gjë më të rëndësishme se të bësh të mundur që ata të lëvizin pa viza, që ata të mos rrinë në radhë përpara ambasadave dhe të poshtërohen, ndaj dhe unë ju them sot këtu në Shkodër që vitin e ardhshëm ne do të bëjmë të mundur që shqiptarët të lëvizin pa viza, që studentët të lëvizin pa viza, që fëmijët të lëvizin pa viza për të shkuar në Itali, në Francë. Ne jemi njerëz që kur japim fjalën e mbajmë atë dhe nuk është thjesht kjo, sepse e kemi në konceptin tonë dhe në besimin tonë një gjë të tillë. Por këtë e themi mbi bazën e atyre që kemi arritur, pasaportat tona biometrike janë pasaportat më moderne në Europë, janë më modernet se në çdo vend tjetër në Europë. Letërnjoftimet janë një garanci e jashtëzakonshme dhe unë përshëndes të gjithë shqiptarët, të gjithë banorët e Qarkut të Shkodrës, që kanë qenë të parët dhe kanë pasur vetëdijen e fortë për të shkuar dhe për t'i marrë letërnjoftimet. Ato janë krenari, identitet, ato janë që t'i thuash vetes se jam jo vetëm qytetar shqiptar, por edhe qytetar europian. (Ju drejtohet të rinjve të pranishëm.) Atje lart është pjesa më e bukur e Partisë Demokratike. Ata janë 18-vjeçarët që do të votojnë për herë të parë për PD-në, ata janë brezi që rriten në liri. Unë besoj fort te ky brez ata janë brezi që na japin shpresën, ata janë fëmijët tanë, janë e ardhmja jonë, janë e ardhmja e Shkodrës, e ardhmja e Shqipërisë. Unë ju falënderoj të gjithëve, ju vajza, ju djem, ju gjimnazistë që na mbështesni kaq fort. Ku ka mbështetje më të madhe se sa ajo e kësaj rinie. Gjatë kësaj periudhe ne kemi bërë të mundur të dyfishojmë buxhetin e arsimit, por, unë ju premtoj këtyre të rinjve që edhe më shumë do të rrisim arsimin në këtë vend, dhe gjatë kësaj periudhe ne kemi rritur rrogat e prindërve tuaj dhe më shumë do të rrisim rrogat e mamasë dhe të babait tuaj. Gjatë kësaj periudhe ne kemi bërë të mundur që në çdo shkollë të ketë stabilitet, që në çdo shkollë të ketë nga një laborator kompjuterik dhe secili prej jush do të ketë nga një lap-top në mandatin e dytë nga Kryeministri Berisha. Në qoftë se ne gjatë kësaj periudhe kemi të mundur që Shkodra të jetë më e bukur, Shqipëria të jetë më e bukur, në mandatin e ardhshëm Shkodra do të jetë qyteti më modern në pjesën veriore, Shkodra do të ketë më shumë punësim, Shkodra do ketë çdo rrugë dhe rrugicë të saj të shtruar. Natyrisht, nuk ka gjë më të bukur se sa të shoh një qytet që vetëm 4 vjet më parë nga 24 -orë në 20 orë i mungonin dritat, kurse sot ka 24 orë drita. Unë të dashur miqtë e mi, bashkëqytetarët e mi, Dua t'ju falënderoj dhe jam optimiste që në mandatin e dytë më 28 qershor, me një fitore të Partisë Demokratike, do të ketë projekte të tjera të mëdha zhvillimi. Kemi për të bërë që qyteti i Shkodrës, Qarku i Shkodrës, të jetë më i bukur, të jetë më modern. Ne do të do të investojmë më shumë nga ç'kemi investuar. Unë ju falënderoj se mandati i dytë do të jetë mandati i liberalizimit të vizave, mandati i dytë do të jetë mandati i zhvillimeve, i projekteve dhe i investimeve të mëdha. Investime të mëdha do të vijnë në Shkodër. Unë personalisht do të mendoj për punësimin tuaj, unë personalisht do të bëj të mundur që ju të merrni bursa nga Qeveria për të shkuar jashtë shtetit, në mandatin e dytë.
(*) Fjala e mbajtur sot në Shkodër