English

PD, Erla Mëhilli flet me gjuhë të rëndë: Edi Rama, një alabak ordiner

Tiranë, 10 maj NOA - Partia Demokratike ka reaguar sot ndaj kryesocialistit Edi Rama duke përdorur përmes zëdhënëses Erla Mëhilli, një gjuhë të rëndë për të evidentuar akuzat për afera abuzive në krye të detyrës si kryetar i Bashkisë së Tiranës.

"Edi Rama pasi sulmoi dje Kryeministrin e vendit me një gjuhë të padenjë jo vetëm për një politikan por edhe për një alabak ordiner, nxori sot atë që tashmë është i faktuar si asistent i Dondollakut por edhe korrier i drogës jo vetëm i tij por edhe i Kadriovskit, Erjon Braçen për të sulmuar familjarët e Kryeministrit dhe më konkretisht vajzën e tij, e cila është një avokate që punon në një studio private ligjore në Tiranë si dhjetëra e dhjetëra studio të tjera dhe që ushtron aktivitetin në përputhje të plotë me ligjet e shtetit shqiptar e që ka paguar të gjitha detyrimet tatimore të saja dhe që është e para në sektorin privat në historinë e vendit që ka deklaruar të ardhurat me korrektesën më të madhe pranë ILDKP-së", - deklaroi mëhilli.

Ajo tha se "me e-mailet e botuara sot, të cilat dëshmojnë një veprimtari në përputhje të plotë me ligjet e vendit të studios ligjore të vajzës së Kryeministrit, Edi Rama dëshmon se nuk ka asnjë alternativë tjetër për ti ofruar shqiptarëve përveç scoopeve dhe trillimeve mediatike siç ishte ajo e vjedhjes së shpikur të orës së Presidentit Bush, shpalljes së Kosta Trebickës si të ekzekutuar nga shteti, akuzave politike të rrugës Durrës-Kukës apo akuzave ndaj biznesmenit Damir Fazliç, apo siç ishin ato më të fundit të shitjes së ujërave territoriale të vendit".

Mëhilli vlerësoi se Edi Rama me sulmet e sotme familjare ndaj Kryeministrit përpiqet thjesht të mbulojë mbi lakuriqësinë e tij firmat e ekzekutimit politik të njerëzve e intelektualëve të pafajshëm nga i ati e daja e tij anëtarë të Presidiumit e Byrosë Politike. kurse më poshtë renditi dhe ato që i cilësoi fakte të tjera:

Përpiqet të mbulojë dhënien e 30 lejeve të ndërtimit Delijorgjit dhe pushimet e kaluar në Kretë me të. - I bën për të vënë në harresë mbajtjen peng të Planit Rregullues të Tiranës dhe përpjekjet për të vjedhur trojet publike për vete dhe klanet me të cilat ai ndan pasuritë. - I bën për të mbuluar 19 lejet e ndërtimit nga 28 që ishin gjithsej në KRT-në e fundit të Tiranës të cilat i ndau me Eftimin e tij. Por shqiptarët janë të lutur të kenë durim gjer më 28 Qershor kur Z.Rama të dalë përfundimisht nga politika e shqiptarëve si humbës i madh i zgjedhjeve të ardhshme.

e.l/NOA

KOMENTE