Durrës, 10 maj NOA/Update - Policia e Durrësit ka zbardhur për agjencinë e lajmeve NOA skemën e plotë të vrasjes së një dite më parë të kambistit në qytetin bregdetar dhe ka konfirmuar arrestimin e tre autorëve të dyshuar të krimit.
Sipas policisë, arrestimet e autorëve u kryen në dy qytete, Elbasan dhe Durrës.
Të arrestuarit si ekzekutorë të dyshuar të kambistit 45-vjeçar, janë Luis Vangjeli 26-vjeç lindur dhe banues në lagjen nr.11, Durrës i cili u kap në banesën e vjehrrit të tij në Shkozet, Durrës, Kevin Ranxha 32-vjeç lindur dhe banues në Elbasan dhe Marvin Ranxha 25-vjeç lindur dhe banues në Elbasan.
Sipas policisë këta të fundit u arrestuan në banesën e tyre në qytetin e Elbasanit.
Burime nga policia e Durrësit thanë për agjencinë NOA se tre personat dyshohet se pasi i kanë vjedhur sasinë prej 20 mijë euro dhe 10 milion lekë kanë qëlluar me armë zjarri automatik në drejtim të kambistit Agush Hyzoti i cili ka gjetur vdekjen menjëherë.
Dyshohet se autorët kanë planifikuar më parë grabitjen duke ndjekur lëvizjet e kambistit të cilit i kanë zënë pritë në hyrje të pallatit të tij teksa ai po kthehej nga punë në banesë.
Rezulton se 45-vjeçari pasi është grabitur, u qëlluar me automatik nga Kevin Ranxha, ndërsa Marvin Ranxha ndodhej në afërsi të pallatit për të siguruar veprimet e dy të tjerëve, dhe Luis Vangjeli po i priste bashkëpunëtorët e tij me motor të ndezur në hyrje të pallatit.
Ata janë larguar prej vendit të ngjarjes dhe më pas motori është braktisur nga autorët në një distancë jo shumë të largët nga vendi i krimit.
Policia bëri të ditur se në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar, arma me të cilen është kryer krimi, dy gëzhoja, një motoçikletë, një automjet tip-ford, si dhe një paruke.
Tre të arrestuarit akuzohen për veprat penale të "Vjedhjes me pasojë vdekjen" e kryer në bashkëpunim, dhe "Mbajtje pa leje të armëve luftarake".
k.k/NOA