English

Politika e rrudhjes

Nga Salih Mehmeti

Disa javë i ndajnë nga njëra-tjetra vizitat e presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, në Kosovë dhe kryeministrit të Greqisë,

Kostas Karamanlis, në Shqipëri. Hashim Thaçi me qëllim që ta relativizonte këtë vizitë, e quajti atë ‘private'. Ndërsa, qeveria shqiptare i bënte temena Karamanlisit, duke parë tek ai një burrështetas mik, që iu përvëloka zemra për Shqipërinë! Të gjithë e pamë se sa ‘private' ishte ardhja e Tadiçit në Kosovë: edhe në rrëzë të kremtes së Pashkëve, Tadiçi këlthiste për ‘Kosovën-Serbi'. Ndërkaq, u pa se sa ‘miqësore' na ishte ardhja e Karamanlisit në Shqipëri: kordinatat e kufirit detar u tërhoqën më në brendësi të Shqipërisë, gjë që i shkaktoi edhe një humbje tjetër Shqipërisë karshi Greqisë, kësaj rradhe në det. Mbizotëronte një ekstazë dehjeje mbi fitoren e paraqitjes zyrtare të candidatures së Shqipërisë për në BE, aq sa pakkush fiqironte se çfarë sherri të madh solli Karamanlisi.

E heshtur me mjeshtëri ndodhi që të nënshkruhej sa ora një marrëveshje për ujërat territoriale mes ministrave të jashtëm, Lulzim Bashës dhe Dora Bakojanisit, në emër të baraslargësisë (siç thuhej në marrëveshje), dhe gjoja në emër të konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit. As që bëhet fjalë për parime të baraslargësisë, por për një akt të pastër cedimi nga ku Greqisë iu falen 225 km² det. Shqipërisë i janë dobësuar edhe më tej pozitat strategjike në detin Jon, aq sa Greqia i avitet 11 kilometra drejt Karaburunit. Dmth, ujërat që iu falën Greqisë nisin që nga Kepi i Qeparoit deri në ishullin e Erikuzës, në largësi 12 minuta gjerësi gjeografike. Qeveria shqiptare dhe veçmas Sali Berisha nuk e mbrojtën kushtetutën dhe sovranitetit shqiptar. Gjithçka për qeverinë shqiptare duket se nuk ka vlerë: synojmë të hyjmë në BE dhe pikë. Paguajmë me çdo çmim. Qeveria shqiptare dhe bartësit kryesorë të saj, më shumë se mundësi utalitare, hyrjen e supozuar në BE e shohin si një rast të mrekullueshëm që t'i zgjasin edhe kushedi se sa karrierat e tyre politike. Burime brenda Bruskelit me rastin e paraqitjes së kandidaturave për në BE, pohojnë shpeshherë se ‘në Ballkan liderët mendojnë vetëm në hapa që mund t'u ndihmojnë në fushatat parazgjedhore, e jo në realitet dhe interes të vendit'.

Kjo pandjeshmëri e frikshme e Qeverisë shqiptare për territorin e vet sovran është një rast unikat në mbarë kontinentin e vjetër, në mos edhe më gjerë. Kroatët e sllovenët e trazuan peshë mbarë Europën me ngatërresat e tyre territoriale rreth përcaktimit të kufirit detar rreth Gjirit të Piranës, sipërfaqe që, siç thoshte International Herald Tribune, ka madhësi të disa fushave të futbollit. ‘Qëndrimi ynë është se antarësimin tonë në BE nuk do ta paguajmë me territorin tonë', thoshte Tomislav Jakiq, këshilltar për politikë të jashtme i kryetarit të Kroacisë, Stipe Mesiq. Përderisa miqtë tanë kroatë nuk duan të paguajnë hyrjen, zëre se të sigurt, në BE, me çmimin e humbjes së një rripi të vockël toke, qeveria shqiptare nuk e ka për gjë të paguajë çfarëdo çmimi territorial - dhe për çfarë?! - për një hyrje që bëhet gjithnjë më e pasigurt, gjithnjë e më shumë vihet në pikëpyetje.

Heshtja për çamët dhe fryrja e ‘pakicës greke'

Në vend se nga Karamanlisi të kërkohej përgjegjësi e të ushtrohej trysni për gjendjen e mjerueshme të çamëve autoktonë; në vend se Karamanlisi të kërkonte falje publike për gjenocidin grek mbi popullsinë çame, qeveria shqiptare doli në rolin e një avokati të zellshëm të Karamanlisit sepse, siç paralajmëruan gazetat greke, qeveria shqiptare paraprakisht i është zotuar Karamanlisit para se të vijë në Tiranë nuk do ta përmend fare çështjen çame. Mirëpo, në anën tjetër nuk u kërkua nga Karamanlis që të mos e përmendte çështjen e stërfryrë të ‘minoritetit grek' në Shqipëri. Të mos e vëmë shenjën e barazimit në ketë mes: çështja çame është ekzistente, përderisa çështja e të ashtuquajturit ‘minoritet grek' nuk është gjë tjetër veçse një koncept i rafinuar e i përpunuar nga Athina, në mënyrë që ta shpërqendrojë shtetin shqiptar, edhe ashtu të shpërqëndruar, nga problematizimi potencial i Çamërisë. Se është kryekreje koncept artificial ky farë minoriteti grek në Shqipëri, dëshmojnë shembujt e shpikjes së ‘minoriteteve greke' në IRJM e Turqi, qëllimi i të cilave qëndron pikërisht në fashitjen e problematizimit të çështjes shqiptare (Çamëri), turke (Thraki), sllave (Maqedoni e Egjeut), vllahe etj., në Greqinë Veriore. Shpërfillja e ftohtë e Çamërisë nga ana e qeverisë shqiptare po kushton në fortifikimin dhe harlisjen e një entiteti gjithnjë e më separatist të ‘Vorio Epirit' në jug të Shqipërisë.

Kurrsesi nuk duhet prapamenduar se Çamërinë duhet përdorur si mish për top. Përkundrazi, çështjen çame duhet problematizuar për hir të korrigjimit të një padrejtësie historike dhe të një të ardhmeje me të sigurt pa trashëgimi neokoloniale. Karamanlisi aktronte për bukuri duke u shtirur se ‘Greqia mbështet hyrjen e Shqipërisë në BE'. Mbase, kjo ta përkujton me përpikëri Tadiçin i cili vjet thoshte (në fakt aktronte) se si Serbia e mbështet hyrjen e Bosnjes në BE. Tadiçi e mbështeste një gjë të tillë pikërisht pse nuk ka gjasë asnjëherë të ndodhë. Tadiçi e dinte se Serbia e kontrollon-shantazhon tërë Bosnjen përmes Republikës serbe, aq sa Bosnja sfilitet së brendshmi nga dy rryma të përkundërta: unitariste dhe seperatiste. Krejt kjo bën që Bosnja të tallazitet nga rrebeshet e përplasjeve që marrin karakter etnik, gjë që pamundëson hyrjen në BE, se siç dihet BE nuk i honeps dot vendet që kanë brishtësi të brendshme etnike, politike a ekonomike.

Koncepti i Karamanlisit nuk ndryshon cilësisht nga ai i Tadiçit. Pikërisht duke përfituar nga dobësia kronike e shtetit shqiptar, por më shumë nga serviliteti i qeverisë shqiptare, Greqia po arrin që të ravijëzojë një terren gjithnjë e më separatist, gjithnjë e më autonom në jug të Shqipërisë, i cili po bëhet ‘Shpatë e Damokleut' mbi sovranitetin e Shqipërisë. Si mund të jetë ‘minoriteti grek' ‘nyje bashkëpunimi' midis dy vendeve, kur thuajse çdo nëntor persona ‘minoritarë' djegin pasaporta shqiptare, kërkojnë polici greke në Himarë, mësojnë në libra shkollorë të historisë (me planprogram grek) për ‘Epirin e pushtuar nga shqiptarët'? Për ç‘miqësi mund të flitet kur ende ushtarët grekë në ferk të mëngjesit tek bëjnë ushtrime, këndojnë se do të bëjnë opinga me lëkurë të shqiptarëve? Këto pyetje nuk pati zemër t'i bënte asnjë politikan shqiptar, përderisa në Kuvend ngriheshin në këmbë me admirim para Karamanlisit.

Në anën tjetër, Berisha që dikur bënte gjoja se i përvëlohej zemra për vëllëzërit çamë, tani nuk bëzajti fare për ta. Kësisoj, Qeveria shqiptare po i shpërfill çamët dhe po i lë ata në mëshirën e shtetit diskriminues grek. Kinseshqetësimet e shtetit shqiptar rrallë e përmallë, janë gjithashtu të shtirura sepse përqendrohen sall në çështje të pronave.

E para, çështja çame nuk duhet të cungohet në çështje pronësore, se këtu nuk bëhet fjalë vetëm për prona, por bëhet fjalë për rastin e një Çamërie e cila vuan e kryqëzuar nën kolonializmin grek. Çamëria duhet parë si një rast i pastër i kolonizimit klasik nga Greqia. Rrjedhimisht, zgjidhja për Çamërinë duhet kërkuar duke u mbështetur fuqimisht në Platformën e Dekolonizimit, d.m.th në parimet e dekolonizimit. E ardhmja e botës dhe e Evropës, nuk mund të sendërtohet në kohën kur ka shtete që kanë trashëgimi të frikshme koloniale, siç është Greqia. Pranimi i Greqisë në NATO e BE është bërë qysh moti dhe për hatër të interesave gjeopolitike të Perëndimit, i cili nuk e mori parasysh mjedisin kolonial grek. Ndryshe, po të shpreheshim drejt, Greqia nuk e ka vendin as në BE dhe as në ndonjë mekanizëm tjetër ndërkombëtar, përderisa ende vepron me mendësinë e juntave ushtarake.

Siç e thamë edhe më parë, Çamëria nuk duhet parë e cungosur në çështje pronash. Përqendrimi i sforcuar sall në prona, po bën që ta harrohen mbi 80.000 çamë autoktonë që jetojnë ende në Çamëri, apo deri në 100.000, siç shprehej një raport i Ministrisë së Jashtme të Turqisë. Çamët ndodhen të ngujuar midis një qerthulli aparteidi, asimilimi e shuarjeje. Nuk u lejohet as identifikimi si çamë, e lëre më shkollimi në gjuhën shqipe. Ndaj, të trajtuarit e Çamërisë sall si çështje pronash është një emër ndryshe për të bërë pazarllëk me Çamërinë. Mund ta marrim me mend përse një numër i madh i refugjatëve çamë në Shqipëri (mbi 250.000 vlerësohet të jetë numri i tyre) përfshirë edhe ata nëpër shoqatat mjerisht të papërkrahura çame, këmbëngulin në të drejtën pronësore në Çamëri. Kjo është e prodhuar nga pafuqia e tyre për të ndërmarrë diçka në mbrojtje të kauzës, sepse shteti shqiptar nuk u ka dalë asnjëherë krah. Ata mendojnë se e drejta pronësore është universale dhe e pashkelshme, ndaj Greqia edhe do të lëshojë pe para një të drejte të tillë. Se e drejta pronësore është universale dhe e pashkelshme, këtë as topi nuk e luan, mirëpo gjithashtu e vërtetë edhe më e pamohueshme është se Parimet e Dekolonizimit janë universale dhe të pranuara edhe nga Kombet e Bashkuara. Greqia e ka bërë hesap këtë farë pune sepse ajo llogarit që pas 20 vitesh, këta çamë që sot po kërkojnë më zëlartë pronat e tyre, nuk do të jenë më. Pas tyre do të vijnë breza të rinj çamësh që do t'u zbehet këmbëngulja për prona. Disa breza të mëvonshëm, çështjen e pronave do ta harrojnë krejtësisht, aq sa do të zhduket mëtimi pronësor për Çamërinë.

Qeveria shqiptare duhet t'i japë njëherë e mirë fund praktikave të mbrapshta të luajalizmit ndaj shtetit kolonialist grek. Politika e IRJM-së është kallëzuar disa herë më e suksesshme dhe më fatlume në aspektin e problematizimit të pakicës sllavofone në Maqedoninë e Egjeut, sepse në mars të këtij viti në raportin e ekspertit të pavarur të Kombeve të Bashkuara, Gej Mekdugal, pranohej se në Greqi ka pakicë maqedonase. Ndërkaq, Çamëria dhe çamët vazhdojnë ta paguajnë më së rëndi çmimin e shpërfilljes së qeverisë shqiptare, duke mos u paraqitur si problem i gjithë shqiptarëve, por si problem i disa çamëve. Çështja e Çamërisë duhet të jetë shqetësim për mbarë shqiptarët kudo që janë.

KOMENTE