Albert Zholi
Neuchatel (Zvicër), 10 Maj NOA/ - Promovimi i romanit të Bedri Dedjes "Presidenti i planetit të kuq" është bërë mbrëmjen e së shtunës në Zvicër, ku mori pjesë dhe Artistja e Popullit, Vaçe Zela.
Ishte Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë "Naim Frashëri", që në bashkëpunim me Bashkësinë Shqiptare të Kantonit të Neuchatelit (Nëshatel), organizuan promovimin e librit të fundit të autorit të ndjerë për fëmijë Bedri Dedja.
Ky është testament letrar i autorit. Të pranishëm ishin personalitete nga Diaspora, si dhe Artistja e Popullit, Personaliteti i Vitit 2009, Vaçe Zela, së bashku me bashkëshortin Pjetër Rodiqi dhe të bijën Irma Rodiqi.
Merrte pjesë dhe Mehmet Elezi, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Konfederatën Zvicerane dhe bashkëshortja e tij.
Të pranishmit i përshëndeti Belul Bajrami, kryetar i Bashkësisë Shqiptare në Neuchatel, pastaj, në kuadër të programit, me një fjalë do të paraqitet Mahir Mustafa, koordinator i SHSHMP në Zvicër.
Në vazhdim, Asllan Gjinovci evokoi "Kujtime me Bedri Dedjen", ndërsa Saime Isufi, arsimtare e gjuhës shqipe në Bienne u paraqit po ashtu me një fjalë.
Krijuesi Alfred Papuçiu mbajti "Dy fjalë për autorin Bedri Dedja dhe për krijimtarinë e tij", ndërsa Edlira Dedja lexoi vështrimin "Libri "Presidenti i planetit të kuq" dhe vlerat e tij edukative për fëmijët".
Gjatë veprimtarisë u kënduan edhe këngë të Artistes sonë të Popullit, Vaçe Zela. Në vazhdim pati diskutim të lire me nxënësit e shkollës shqipe të Neuchatelit, nën drejtimin e Drita Kelmendit, mësuese e gjuhës shqipe.Â
Gjithashtu pati lexim fragmentesh të librit nga nxënësit e shkollës shqipe, si dhe diskutime të lira të pjesëmarrësve. Programi u mbyll nga grupi i valleve.
Kjo veprimtari zhvillohet pas asaj të mbajtur në mjediset e Universitetit UFO në Tiranë, ku nisi një konferencë përkujtimore me rastin e 5-vjetorit të vdekjes së shkrimtarit, psikologut, pedagogut dhe akademikut Bedri Dedja. Atje fjalën e rastit e mbajti Prof. Nuri Abdiu, shef I departamentit të psikologjisë e pedagogjisë së Universitetit, me temën: "Akademiku Bedri Dedja - mësuesi i mësuesve dhe profesori i profesorëve të fushës së tij". Atje foli dhe akademiku nga Kosova, Prof. Pajazit Nushi, me temën: "Akademik Bedri Dedja- integrues i mendimit psikologjik mbarëshqiptar" Pati diskutime dhe kujtime nga të pranishmit për Bedri Dedjen si dhe u përurua libri itij i fundit. Po ashtu, në qytetin e Kuçovës, u organizua promovimi i librit "Presidenti i Planetit të Kuq" nga bashkia e qytetit në ambientet e bibliotekës. Merrnin pjesë të gjitha autoritetet e qytetit të Kuçovës, arsimtarë, intelektualë, lexues dhe nxënës të shkollave. Zoti Ilir Musta, shpërndau 200 libra falas për shkollat e Kuçovës, bibliotekën dhe të pranishmit.
Gjithashtu në Panairin Ndërkombëtar të Librit dhe të Shtypit në Palekspo të Gjenevës u paraqit libri i fundit i Akademikut Bedri Dedja "Presidenti i Planetit të Kuq" (Planeti Mars i kuqërremtë). Bedri Dedja kujtohet me dashuri të madhe nga miqtë e tij të shumtë, nga kolegët, familjarët, nga adhuruesit e veprave të tij, nga ish-studentët, nga qytetarët e panumërt që ruajnë kujtime nga takimet me të si dhe fëmijët.
a.zh/NOA