English

Ruçi: Mos lejoni që pakica të vendosë për shumicën, në 28 qershor

Lushnjë, 10 maj NOA - Kryetari i Asamblesë së Partisë Socialiste (PS), Gramoz Ruçi ka qenë në Krutje të Lushnjës ku ka bërë apel banorëve për të mos e lënë politikën të vendosë për fatet e tyre.

Ruçi tha se pjesëmarrja e të gjithëve në votime më 28 qershor është e domosdoshme për çdo njeri që të shprehë vullnetin e tij, për të pasur në qeverisje atë program, atë lidership dhe ekip që mendon se duhet ta qeverisë në mandatin e ardhshëm.

Gramoz Ruçi gjatë fjalës së tij u bëri thirrje banorëve të Krutjes të mos jenë indiferentë ndaj fatit të tyre, siç ka ndodhur në të tjera zgjedhje ku pakica ka vendosur për fatin e shumicës së popullsisë.

"Në 2005 48% e elektoratit mori pjesë në zgjedhje, 52% nuk morën pjesë në zgjedhje. Pra, që do të thotë, shumica qeveriset nga pakica. Kjo është arsyeja që t'i detyrimisht duhet të marrësh pjesë në zgjedhje, sepse po nuk u more t'i me politikën e politikanët, do të merret politika me ty", - deklaroi z.Ruçi.

Ai vlerësoi më tej se është koha që ndryshimi të bëhet, "me qëllim që edhe Shqipëria të eci si motrat e saj dhe standardet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, të jenë të unifikuara me ato të familjes evropiane, ku duam të aspirojmë dhe të integrohemi të gjithë".

k.k/NOA

KOMENTE