English

Topalli në Shkodër: Në mandatin e dytë qeveria do të liberalizojë vizat

Shkodër, 10 maj NOA - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli zhvilloi sot një takim me banorët e qytetit të Shkodrës ku ndër të tjera deklaroi se në mandatin e dytë qeveria do të liberalizojë vizat.

"Mandati i dytë do të jetë mandati i zhvillimeve, i projekteve dhe i investimeve të mëdha. Investime të mëdha do të vijnë në Shkodër" u shpreh Topalli.

"Unë ju them sot këtu në Shkodër që vitin e ardhshëm ne do të bëjmë të mundur që shqiptarët të lëvizin pa viza, që studentët të lëvizin pa viza, që fëmijët të lëvizin pa viza. Ne jemi njerëz që kur japim fjalën e mbajmë atë dhe nuk është thjesht kjo, sepse e kemi në konceptin tonë dhe në besimin tonë një gjë të tillë" shtoi me tej kryeparlamentarja.

Topalli në fjalën e saj ka vënë theksin edhe te kartat e identitetit duke shtuar se

"letërnjoftimet janë një garanci e jashtëzakonshme dhe përshëndes të gjithë shqiptarët, të gjithë banorët e Qarkut të Shkodrës, që kanë qenë të parët dhe kanë pasur vetëdijen e fortë për të shkuar dhe për t'i marrë letërnjoftimet". "Gjatë kësaj periudhe ne kemi bërë të mundur të dyfishojmë buxhetin e arsimit, por, unë ju premtoj këtyre të rinjve që edhe më shumë do të rrisim arsimin në këtë vend, dhe gjatë kësaj periudhe ne kemi rritur rrogat e prindërve tuaj dhe më shumë do të rrisim rrogat e mamasë dhe të babait tuaj" u shpreh më tej kryetarja e kuvendit.

Sipas saj në mandatin e ardhshëm Shkodra do të jetë qyteti më modern në pjesën veriore, Shkodra do të ketë më shumë punësim, do të ketë çdo rrugë dhe rrugicë të saj të shtruar.

k.k/NOA

KOMENTE