English

Zhvillohet Java e modës "Kosova Fashion Week 2009"

Prishtinë, 10 maj NOA - Agjencioni i modës "Gecjan Group" në bashkëpunim me RTV 21 realizojnë javën e modës "Kosova Fashion Week 2009".

Ky organizim për nga niveli i kreatorëve prezantues, modeleve që sfiluan dhe salloneve te bukurisë që u prezantuan në javën e modes u cilësua si organizimi më i madh i modës që është mbajtur deri më tani në Kosovë.

Një javë mode që ndërthuri në vetvete stilin dhe koherencën e kreatorëve, shtëpive të modës, shkollave të modës, kreatorëve për fëmijë dhe salloneve të bukurisë, në një organizim që ngjasonte me evenimentet ndërkombëtare të modës. Në një skenografi të modelit fashion, të parat që sfiluan ishin vajzat me uniforma ushtarake të moderuara, të dizenjuar nga Dielli Fashion dhe nën petkun e Gecjan Army duke simbolizuar në këtë formë gatishmërinë e modeleve shqiptare që t'i pushtojnë pistat më të mëdha botërore te modës.

Ilir Geci, menaxher i përgjithshëm, thotë se në këtë eveniment që u mbajt në sheshin "21" në Prishtinë për tre net me radhë u prezantuan disa institucione të rëndësishme të modës dhe bukurisë.

Ndër to përmenden Shkolla e modës Design Factory, Prishtinë; Shtëpia e modës Tabja, Drenas; Mimi Memiaj Tirane; Blerina Kllokoqi-Rugova Prishtinë; Butiku Arjeta Prizren; Instituti i modës SIPAM-AB Prishtinë; Bora Fashion Gjakovë; Shtëpia e modës Menakon Gjilan; Mirela Cici Tiranë; Suzana Susuri Prizren;Valbona Peqani-Kida (veshje për fëmijë).

Po ashtu morën pjesë sallonet e bukurisë Laric Studio Prishtinë; Ruka Fushë Kosovë; Top Fashion Vushtri, etj.

Të ndjekur nga duartrokitjet e shumta të publikut në sallë, kreatorët prezantuan modën e fundit të veshjeve të dizajnura nga vetë ata dhe të punuara enkas për "Kosova Fashion Week 2009".

Kreacionet e stilistëve shqiptarë u prezantuan nga 42 vajza të përzgjedhura në mesin e 553 vajzave që kanë aplikuar për pjesëmarrje në "Kosova Fashion Week 2009". Të gjitha veshjet që u prezantuan në "Kosova Fashion Week 2009" do të jenë në shitje gjatë kohës së transmetimit të javës së modës në Rtv 21.

Geci pohon se "Kosova Fashion Week 2009" do jetë një organizim tradicional në të cilin gjithmonë kreatorëve shqiptarë do t'u jepet mundësia të prezantojnë kreacionet e tyre dhe njëkohësisht të kenë mundësinë e shitjes së tyre direkt përmes porosisë. a.k/NOA

KOMENTE