Redaksionale NOA
Presidenti i Republikës Bamir Topi është nisur mbrëmjen e së Hënës për në kryeqytetin e Republikës ish-Jugosllave të Maqedonisë (FYROM), Shkup. Sikundër njoftoi zyra e tij për shtyp,
Topi do të marrë pjesë në ceremoninë solemne të inaugurimit të Presidentit Gjorgje Ivanov. Presidenca konfirmoi se Topi shkon në Shkup, i ftuar nga kreu i ri i shtetit maqedonas. Dhe theksoi faktin se ai "do të jetë të Martën i pranishëm në ceremoninë që do të zhvillohet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së bashku me homologë të tjerë nga rajoni dhe më gjerë si Presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiç, ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, i Serbisë Boris Tadiç, i Bullgarisë Georgi Parvanov, etj.".
Pikërisht këtu nis dhe pikëpyetja e vizitës së Presidentit në Shkup.
Vallë, a duhet të shkonte Topi dhe të nderonte me praninë e tij kreun e ri maqedonas, të shtetit të cilin ende zyrtarisht, Shqipëria e njeh si Republika ish-Jugosllave e Maqedonisë, kur atje, nuk u ftua presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu?
Dihet që ne, pavarësisht problemeve të shumta që kemi si vend, si shtet, jemi mjaftueshëm të konsoliduar.
Aq të konsoliduar sa të jemi pranë demokracive dhe shteteve të reja. Aq më shumë, kur bëhet fjalë për shqiptarët përtej kufirit, në Kosovë.
Më e pakta që Topi, e pse jo dhe MPJ duhet të bënte, duhet të ishte mospajtimi me refuzimin bastard që autoritetet maqedone i bënë pranisë së Sejdiut në përurim. U pranua fare hapur se Sejdiu nuk u ftua në Shkup, nga frika se do të pasohej me bojkotin e presidentit serb, i cili po ashtu është i ftuar në ceremoni.
Në të vërtetë, shumë përfolje pati mbi mospraninë e pritshme të kryetarit të shtetit të Kosovës në Shkup, deri u spekulua edhe se ai do të ishte gjithsesi i pranishëm në ceremoni, përmes një ftese "të posaçme(!)" për të.
Presidenti Sejdiu i preu rrugën këtyre spekulimeve dje, kur i pyetur nga gazetarët nëse kishte marrë ftesë nga homologu maqedonas për ceremoninë e inaugurimit të tij, konfirmoi se "nuk kam marrë ftesë", duke dhënë qartësisht mesazh, por në mënyrë diplomatike, se kjo "është çështje e Qeverisë dhe vetë institucioneve të Maqedonisë". Në fakt, Sejdiu nuk e fshehu dëshirën të ishte si titullar i shtetit, i pranishëm në ceremoni, ndaj tha se "për ne është me rëndësi që të gjitha zhvillimet pozitive që ndodhin në rajon, janë pjesë edhe e dëshirës sonë, që të jemi pjesë në to", - duke shtuar se "ne e kemi dëshmuar këtë".
Kështu, gjithçka u bë e qartë: Republika e Kosovës, nuk u përfill nga fqinji i vogël maqedonas si institucion legjitim dhe kjo, vetëm e vetëm se ish-kapo i tyre, Serbia, vuri "veton", duke kushtëzuar pjesëmarrjen, vetëm nëse ndalej ftesa për Sejdiun.
Në këtë pikë, pyetja që shtrohet është fare e thjeshtë: Kur ish-vëllai i madh i maqedonasve, u dëgjua pa asnjë lloj sikleti, pse vëllai i madh i Kosovës, duhet të qëndronte kaq poshtë?