English

Balla në Librazhd: Qeveria, asgjë për fëmijët jetimë

Librazhd, 11 maj NOA - Deputeti i Partisë Socialiste Balla zhvilloi një takim me nëna që rrisin të vetme fëmijët e tyre jetimë.

Balla shprehu shqetësimin se sot në përfundim të mandatit të saj 4 vjeçar qeveria nuk ka bërë asnjë përpjekje për t'u dhënë edhe këtyre fëmijëve që jetojnë vetëm me njërin prej prindërve.

Balla kujtoi se ende fle, që nga fillimi i vitit 2007, në sirtarët e Kuvendit një projektligj i depozituar nga këto nëna, por që mazhoranca e nuk e ka përfillur, kjo do të ndryshojë me qeverinë e dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit tha Balla.

Deputeti i PS-së u shpreh më tej se qeveria e ardhshme do bëjë ligje në bashkëpunim me grupet e interesit dhe premtoi se socialistët do të kalojnë në Kuvendin e ri projektligje nga të cilat do të përfitojë edhe kjo pjesë e nëpërkëmbur e shoqërisë.

"Fëmijët tuaj janë dy herë jetimë, janë jetimë pa baba, po edhe për shkak të indiferencës së shtetit", - tha Balla.

Ai vlerësoi se "kemi një Kryeministër që thotë do t'i jap falas këtij grupi shoqëror apo atij tjetri kartën e identitetit, apo do bëj këtë dhe do bëj atë, ndërkohë që në Kuvendin e Shqipërisë, që nga 20 maji i 2007, është i depozituar një projektligj, i cili garanton një asistencë të domosdoshme për ju nëna dhe motra për të rritur si duhet fëmijët tuaj".

Kurse premtoi: "Ajo që mund t'ju garantoj unë dhe Partia Socialiste, është se qeveria e re pas 28 qershorit, do të hyjnë konsultime të drejtpërdrejta me shoqatën tuaj dhe me ju, në mënyrë të tillë që ne të ndërtojmë një mekanizëm që me të vërtetë fëmijët jetimë pa nënë ose pa baba, të garojnë të barabartë në fushën e jetës me të gjithë fëmijët e tjerë".

e.l/NOA

KOMENTE