English

Bastisja e lirisë

Nga Hysen Durmishi

Në vitin 1975 ishte bastisur shtëpia e Milazim Arifit në Gjilan nga policia e Serbisë.

Me atë rast ishte arrestuar dhe kishte vuajtur vite të tëra me burg për veprimtari armiqësore kundër Jugosllavisë së atëhershme. Edhe pas burgut baca Milazim nuk e kishte ndalur asnjëherë veprimtarinë në shërbim të kombit, për të cilën ishte betuar. Në këtë frymë i kishte edukuar edhe fëmijët e tij. Kur filluan luftërat çlirimtare për çlirimin e trojeve tona të pushtuara, baca Milazim pa asnjë hezitim, së bashku me dy djemt e tijë Skifterin dhe Flamurin, iu përgjigjën kushtrimit për liri. Skifter Arifi ra dëshmor me 10 qershor të vitit 2001, në luftë për çlirimin e trojeve tona të pushtuara në Maqedoni. Skifteri ra heroikisht në fushën e nderit pikërisht në 123 vjetorin e Lidhjes shqiptare të Prizrenit. 123 vjet më pas ai u përjetësua në përpjekje të realizimit të programit politik të kësaj Lidhjeje, për të na treguar neve të tjerëve se Lidhja është ende gjallë. E ky program ishte edhe betimi dhe amaneti i dëshmorëve të kombit: çlirimi dhe bashkimi i trojeve tona të pushtuara. Kemi dëgjuar shumë herë që pas rënies në luftë të babait rrugën e tij ta ndjek i biri, por rasti i bacës Milazim është rast i veçantë, që nuk më rastisur ta dëgjoj asnjëherë dhe askund deri më tani. Ditën që Skifteri u vra, baca Milazim shkon në vijë të frontit, e merr armën e të birit dhe e vazhdon luftën deri në përfundimin e saj, duke e mbajtur me krenari pseudonimin "Skifteri".

Milazim Arifi e dinte që luftërat tona çlirimtare u ndalën në mënyrën si nuk do të duhej të ndaleshin. U ndalën pa e arritur edhe qëllimin për të cilin kishin filluar. U ndalën pa u arritur amaneti i dëshmorëve të kombit. Për më keq ato lufta u ndalën duke nënshkruar marrëveshje të cilat nuk përmbanin në vete materializimin e vullnetit politik të popullit tonë. Që të tri këto marrëveshje (Marrëveshja e Rambujesë, ajo e Konçulit dhe ajo e Ohrit) ishin përsëritje e gabimeve të elitave politike e ushtarake, duke pranuar nënshtrimin e kapitullimin. Kur përpjekjet për liri ndalen në gjysmë, atëherë historia përsëritet, e fatkeqësisht neve kjo na ka ndodhur shumë herë gjatë historisë. Duke i parë të gjitha këto baca Milazim nuk pranoi që të bëhet pjesë e asnjë partie politike, sepse nuk dëshironte që të bëhej pjesë e konjukturave politike që punonin të kundërtën e amanetit të dëshmorëve dhe të kundërtën e betimit për liri dhe çlirim të trojeve tona të pushtuara.

Arsyeja pse po e shkruaj këtë shkrim është se njëjtë sikur dikur në vitin 1975, shtëpisë së tij ia mësyen forca të shumta policore edhe me 21 prill të këtij viti. Hynë në shtëpi me forcë dhe me brutalitet për ta bastisur shtëpinë e tij. Nga mënyra e veprimit nuk dallonin nga ata të para 34 viteve. Me kërkesë të prokurorit publik të qarkut të Gjilanit, gjykata e qarkut në Gjilan kishte lëshuar një urdhër për të bërë kontrollin e barnatores "Arta A" me lokalet përcjellëse, pronë e Milazim Arifit, ngase ekzistonte dyshim i tyre se aty gjenden armë zjarri dhe municion. Më skandalozja e gjithë kësaj është se policët i drejtohen bacës Milazim duke i thënë se ne e dimë se ti e ke armën e djalit tënd të vrarë në luftë. Bastisja rezultoi se aty nuk kishte armë.

Se ky ishte një skenar i përgatitur mirë tregon fakti se bashkë me policët aty ishte edhe një punëtor i AKPM (Agjensioni Kosovar për Produkte Medicinale). Pasi që ata armë nuk gjetën, atëherë e mbyllën barnatoren si të vetmin burim të ekzistencës së kësaj familje tetanëtarëshe. Në pyetjen që baca Milazim i bënë punëtorit të agjencisë me emrin Murat, se pse po i mbyllet barnatorja. përgjigja e tij është se kjo bëhet me urdhër të prokurorit publik të qarkut të Gjilanit.

Nuk është për t'u çuditur kjo që ndodhi në Gjilan. Në gjykata dhe prokurori sot punojnë shumë njerëz që me zell i shërbyen në të kaluarën pushtuesve tanë. Këta prokurorë e gjykatës e dënuan dikur edhe bacën Milazim dhe mijëra patriotë tjerë. Institucionet e Kosovës sot me politikën e tyre po veprojnë në kundërshtim me vullnetin e popullit dhe në kundërshtim me rrugën që e trasuan dëshmorët. Kjo familje nga këto institucione sot nuk trajtohet si familje e dëshmorëve sepse dëshmori Skifter Arifi nuk e pati ‘fatin' që të vritej në Kosovë, por e vazhdoj luftën dhe ra dëshmor në përpjekje për çlirimin e trojeve tona të pushtuara në Maqedoni. Kjo familje dhe të gjitha familjet e atyre që u vranë në luftë me pushkë në dorë jashtë kufijve të Kosovës, nuk trajtohen si familje të dëshmorëve.

Pasi që bacës Milazim nuk arritën që t'ia mbyllin gojën, atëherë duan që t'ia ndalin bukën e gojës, presion ky për ta ndalur dhe penguar aktivitetin e tij patriotik e kombëtar.

Juve, udhëheqës të institucioneve politike në Kosovë, ju mbuloftë turpi për mosrespektin që po e tregoni për veteranët dhe invalidët e luftës, për familjet e dëshmorëve të kombit! Shumë prej këtyre familjeve i keni keqpërdorur për interesa tuaja të ngushta.. Të gjithë dëshmorët ranë në përpjekje të realizimit të betimit të dhënë, e ky ishte çlirimi i trojeve të pushtuara të Shqipërisë. Prandaj nuk ka kategori tjetër të dëshmorëve përpos dëshmorë të kombit. Ju familje të dëshmorëve, mos u dëshpëroni, sepse populli nuk i harron dëshmorët e tij. Populli nuk do të ndalet deri në realizimin e amanetit të tyre, kurse elitat politike shkojnë e vijnë, e shumë prej tyre përfundojnë në plehun e historisë.

KOMENTE