English

Berisha: Ne shkojmë drejt mandatit të dytë pasi premtimet i bëmë realitet

Tiranë, 11 maj NOA/Update - Në vazhdim të vizitës në Vorë, Kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim me banorët e kësaj zone në kudër të turit "Shqipëria po ndryshon".

Ai tha se në katër vjet dhe në përputhje me premtimet e saj, qeveria ka investuar në këtë bashki 1 miliardë e 640 milionë lekë, kundrejt 49 milionë lekë që ka investuar qeveria e mëparshme në bashkinë e Vorës.

Këtu Berisha theksoi se "ne ecim drejt mandatit të dytë, pasi ne Shqipërinë e shkëputur nga Evropa e anëtarësuam në NATO, pasi ne Shqipërinë, të cilën muret e korrupsionit dhe të krimit e kishin ndarë nga vendet e Bashkimit Evropian, ia dolëm që të ratifikojmë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, që në Parlamentet e tyre të 27 vendet e BE-së të votojnë për Shqipërinë dhe në 28 prill të paraqesim kërkesën për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian".

Pasi përmendi arritjet siç tha të qeverisë së tij në mandatin e parë, Berisha theksoi se përballë kësaj alternative; për ndryshimin e jetës së përditshme, për përmirësimin e transportit, ujësjellësve, kanalizimeve, pagave dhe pensioneve të qytetarëve shqiptarë, anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe kërkesës për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, qëndron alternativa e nihilizmit, alternativa e mohimit, alternativa e blofeve, alternativa në bazë të së cilës Shqipëria meriton çdo të keqe.

"Ju e provuat më shumë se kushdo tjetër këtë alternativë, kur opozitarët u përpoqën duke manipuluar shpirtrat e të vdekurve tuaj për karriget e tyre, por ju, burra dha gra fisnikë, u treguat vendin atyre", - tha kryeministri.

e.l/NOA

KOMENTE