Tiranë, 11 maj NOA - Ministria e Shëndetësisë me mbështetje të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe me financim të qeverisë Gjermane ka organizuar sot seminarin mbi ndikimet e ndryshimeve klimaterike në shëndetin e popullatës.
Në këtë seminar mori pjesë edhe ministrja e Shëndetësisë Anila Godo e cila mbajti një fjalim për të përshëndetur projektin.
"Shëndeti është produkt i një sërë faktorëve që lidhen me mjedisin ku jetojmë dhe me ndërveprimin tonë, me mjedisin dhe anëtarë të tjerë të komunitetit" u shpreh Godo.
Godo theksoi ekzistencën e fakteve të ndryshimit të klimës dhe efektin e saj mi veprimtarinë tonë të përditshme.
" Tashmë ekzistojnë mjaft fakte që hedhin dritë mbi ndryshimet e klimës, shkaqet e mënyrën e shfaqjes së këtyre ndryshimeve, si edhe efektet e mundshme të tyre mbi veprimtarinë e përditshme të njerëzve e sidomos mbi shëndetin e tyre. Pa dyshim, njeriu është kontribues në ndryshimin klimaterik. Shfrytëzimi pa kriter i pyjeve, i kullotave dhe tokave bujqësore, shfrytëzimi jo perspektiv i rezervave ujore, emisionet në atmosferë të gazeve që lidhen me djegien e lëndëve me origjinë fosilore, janë identifikuar si faktorë që janë lidhur me ndryshimet klimaterike.
Është e qartë se ndryshimet e klimës, shfaqen në formën e dukurive ekstreme apo të pazakonshme të motit dhe jo domosdoshmërish  në një trend linear të qëndrueshëm." Deklaroi me tej Godo.
Ministrja e Shëndetësisë, Godo, e cilësoi këtë aktivitet si dëshminë e angazhimit të Qeverisë Shqiptare për të ndërmarrë hapat e nevojshëm në kuadrin e përgatitjes së vendit, jo vetëm në përballimin e pasojave që lidhen me ndryshimet klimaterike, por edhe për modifikimin e veprimtarive njerëzore që lidhen direkt apo indirekt me ndryshimet klimaterike.
k.k/NOA
Â