English

Kredia, "Durrës-Kukës", vepra që bindte më shumë investitorët e huaj

Nga Rajmonda Lajthia

Tiranë, 11 maj NOA - Rruga Durrës-Kukës është vepra infrastrukturore më e besuar për investitorët e huaj, nëpërmjet të cilës qeveria shqiptare arriti të bindë bankat ndërkombëtare për të marre kredi.

Numri dy i financave Sherefedin Shehu deklaroi sot se kredia tregtare prej 250 milionë euro, do të përdoret vetëm për investime.

Mësohet se rreth 100 milion euro do të shkojnë për segmentin kaq shumë të debatuar për koston e lartë, Rrëshen-Kalimash.

"Ka qenë një kërkesë e investitorëve që kredia të jepej për investime. Në marrëveshjen që kemi nënshkruar kemi thënë se paratë do të përdoren kryesisht për segmentin infrastrukturorë Rrëshen-Kalimash, pasi donatorët kanë shfaqur besim tek kjo vepër"- shprehet Shehu.

Pjesa tjetër e kredisë do të përdoret për investime madhore kryesisht për rrugët. Në këtë mënyrë qeveria do të arrijë të mbajë në ritëm të lartë investimet kapitale, për të vijuar me rritje ekonomike.

Ky fakt është vënë në dukje edhe në raportin e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për muajin maj.

Sipas këtij raporti realizimi i investimeve do të sjellë rritje ekonomike në Shqipëri.

FMN parashikon që Shqipëria dhe Qipro janë dy vendet në Evropë që do të kenë rritje ekonomike.

Konkretisht Qipro do të rritet me 0.3 për qind ndërsa Shqipëria me 0.4 për qind.

Ndërkohë që raporti ka parashikime pesimiste për sa i përket bilancit të import- eksporteve, bilanc i cili do të pësojë rënie.

Në buxhetin e këtij viti është miratuar se rritja ekonomike do të jetë 6 për qind, por zyrtarët e financave kanë nisur të korrigjojnë këtë shifër me tendencë ulje, për shkak të efekteve negative që do të vijojnë në ekonominë tonë.

r.l/k.k/NOA

KOMENTE