English

Kuvendi, ende e paqartë nëse sot u mbyll Legjislatura e 17-të

Tiranë, 11 maj NOA/Update - Kuvendi u mblodh sot në seancë plenare dhe procedoi me rend dite miratimin e disa ligjeve dhe marrëveshjeve ekonomike, kryesisht kredi.

Ajo që nuk u konfirmua dot sonte në dy orë e një çerek seancë, ishte nëse seanca plenare ishte e fundit për këtë Legjislaturë të 17-të, apo gjatë javës në vazhdim do të ketë dhe një tjetër.

Burime nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike janë shprehur se do të ketë dhe një seancë tjetër parlamentare, ndërkohë që në atë të sotmen, një fjalim i kryeministrit që pritej të mbahej, nuk u krye.

***

Në fillim të seancës deputetët mbajtën një minutë heshtje në respekt të të ndjerit, deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në hapje të seancës ftoi kongresmenin amerikan Eliot Engel për të përshëndetur deputetët e Parlamentit të Shqipërisë.

Deputetët miratuan projektligjet ndërkohë që opozita braktisi punimet. Kështu u miratuan huat mes vendit tonë dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës (CEDB) për financimin e projektit të rrugëve dytësore dhe vendore", kredia e Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) për një financim shtesë për projektin e ofrimit të shërbimeve sociale, kredia e eksportit, për financimin për përmirësimin e pajisjeve mjekësore për Spitalin Universitar "Shefqet Ndroqi", huaja e Alpha Bank a.e. e Deutsche Bank AG Dega e Londrës, për financimin e shpenzimeve kapitale për vitin 2009 në përputhje me strategjinë kombëtare për zhvillimin dhe integrimin e Shqipërisë", etj.

Gjithashtu u miratuan edhe disa projektligje si "Për tregtinë elektronike", "Për gjendjen civile", "Për patrullimin e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë", "Për financimin nga buxheti i shtetit të bashkësive fetare që kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave", ligji "Për krijimin e Qendrës së Panaireve dhe të Ekspozitave Tregtare". dhe ai "Për shëndetin publik", etj. e.l/NOA

KOMENTE