Tiranë, 11 maj NOA - "Shqiptarët presin një përgjigje serioze që ende nuk e kanë dhe shteti duhet ta japë këtë përgjigje sa më parë".
Këtë kërkesë bëri para pak minutash Valentina Leskaj, kryetare e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, duke folur në seancën plenare që po zhvillohet në Kuvend.
Leskaj deklaroi se ngjarja e ndodhur para disa ditësh që i mori jetën në një ekzekutim ende të mistershëm, deputetit të partisë Socialiste Fatmir Xhindi, nuk mund dhe nuk duhet të mbulohet me petkun e harresës.
Këtu Leskaj kujtoi faktin se "është vrarë një deputet i opozitës" dhe shtoi se përgjegjësia e shtetit është e madhe dhe koha e zgjidhjes duhet të jetë sa më e shpejtë.
Njëkohësisht, Leskaj u përpoq të hedhë poshtë çdo lloj dyshimi mbi motivet që tha se në disa gazeta janë cilësuar si banale mbi vrasjen, duke theksuar se kemi të bëjmë me një atentat të mirëmenduar.
Fatmir Xhindi humbi jetën si pasojë e një atentati që i kryen persona ende të panjohur nga policia, pak metra larg shtëpisë së tij në qytetin e Roskovecit.
Policia dhe prokuroria thonë se po e hetojnë ngjarjen dhe konfirmojnë shoqërimin e 300 personave dhe ngritjen e disa pistave por ende pa rezultate konkrete.
e.l/NOA