Kavajë, 11 maj NOA - Kryetari i LSI-së, Ilir Meta ka zhvilluar sot një takim me tregtarë të vegjël dhe të mesëm në tregun bujqësor të Kavajës.
I shoqëruar edhe nga kandidatët për deputetë të kësaj partie, kreu i LSI ndaloi duke takuar dhe bashkëbiseduar nga afër me shumë tregtarë të cilët shprehën shqetësimin për mungesën e një tregu të mirëfilltë, ku ata të kenë mundësi për të shitur produktet e tyre ushqimore.
Një tjetër shqetësim që këta biznesmenë të vegjël i shprehën kreut të LSI ishte edhe rënia e fuqisë blerëse për shkak të çmimeve të larta si pasojë e produkteve që importohen.Â
"Pak ditë më parë isha në Lushnjë duke vizituar një fermë moderne të prodhimit të domateve. Jam i kënaqur, që sot në tregun e Kavajës shikoj domatet e Lushnjës. Ndaj ne duhet të nxisim në veçanti fermerët tanë që të prodhojnë sa më shumë dhe me një kosto sa më të ulët, në mënyrë që tregjet tona të dominohen sa më shumë nga prodhimet vendase, sepse kjo është në të mirë të realizimit të mundit dhe djersës së fermerëve shqiptarë" u shpreh Meta.
Sipas Metës, LSI ka politikat e saj shumë të qarta për nxitjen e prodhimit bujqësor në vend dhe atë ushqimor dhe për krijimin e një zinxhiri agraro- industrial, i cili do të bëjë të mundur përmbysjen e raporteve katastrofike sot që janë në dëm të prodhimit vendas.
Më tej kreu i LSI ka vijuar takimet edhe me biznesmenë në tregun industrial të qytetit të Kavajës.
Gjatë kësaj vizite Meta është takuar me tregtarë të shumtë të cilët shprehën shqetësimin për rënien deri në 50 për qind të shitjeve të mallrave të tyre krahasuar me një vit më parë. Gjatë takimeve dhe bashkëbisedimeve, tregtarë të shumtë i shprehën kreut LSI shqetësimin dhe pamundësinë për të shlyer edhe detyrimet e tyre tatimore tepër të larta.
 "Ajo që bie në sy gjatë gjithë këtyre takimeve dhe shkëmbimeve të mendimeve me tregtarë të ndryshëm është pikërisht rënia e ndjeshme e xhirove sidomos në raport me një vit më parë, që shkon deri në 50 për qind sipas tyre.
Ndaj dhe ne kemi një plan konkret dhe të qartë për rigjallërimin e ekonomisë, ashtu sikurse kemi dhe një plan për të mbrojtur shtresat shoqërore me të ardhura më të pakta duke bërë zero tatimin për të ardhurat deri në 250 mijë lek." deklaroi me tëj kreu i LSI-së.
k.k/NOA