English

Nesër infermierët në Konferencën e tyre Kombëtare. Do të ngrejnë problematikat

Tiranë, 11 maj, NOA - Nesër zhvillohet Konferenca Kombëtare e Infermierëve, e para me përmasa të mëdha, në të cilën do të paraqiten dhe shqyrtohen problematikat që kanë realisht infermierët në punën e tyre të përditshme.

Sipas të dhënave për agjencinë e Lajmeve NOA, një rol të madh për organizimin e këtij aktiviteti të gjerë ka Urdhëri i Infermierit, i cili merret në mënyrë të drejtpërdrejtë me trajtimin e shqetësimeve të infermierëve, por edhe USAID, i cili ka ofruar mbështetjen e tij.

Sipas presidentit të këtij organizmi, Sabri Skënderi, në Konferencën Kombëtare të Infermierisë, do të shqyrtohen të gjitha ato probleme që kanë dalë nëpër konferencat rajonale të zhvilluara në qarqet kryesore të vendit, në kuadrin e Muajit të Infermierit (12 prill-12 maj).

"Kjo fushatë sensibilizuese e ndërmarrë gjatë gjithë këtij muaji, për dëgjimin nga afër të shqetësimeve të vërteta që infermierët kanë gjatë punës dhe ushtrimit të profesionit të tyre, rezultoi e suksesshme dhe pritet që në konferencën e nesërme kombëtare, ato të paraqiten më të plota, për të dalë me përfundime konkrete për zgjidhjen e tyre", pohon Skënderi.

Ai tregon sesi gjatë javëve të fundit janë zhvilluar takime në rrethet kryesore si Korçë, Elbasan, Shkodër, Lezhë, Berat, Gjirokastër etj, me përfaqësues të sektorit të shëndetësisë, ku infermierët kanë ngritur zërin për çka i shqetëson më shumë.

"Këto takime shërbyen në të njëjtën kohë edhe për sensibilizimin e infermierëve mbi rritjen e nivelit etiko-profesional të tyre, si edhe diskutimin e tematikave konkrete për rritjen e profesionalizmit të kësaj kategorie në sektorin shëndetësor", pohon ndër të tjera edhe zv/presidenti i Urdhërit të Infermierit, Eduard Qazimi.

Sipas drejtuesve të këtij institucioni, problematika e parë që kanë ngritur infermierët në takimet e tyre ka qenë ai i përfaqësimit të mangët të tyre në në instancat e larta të shërbimit shëndetësor.

"Infermierët kanë deklaruar me shqetësim se nuk janë pjesë e niveleve drejtuesese të sistemit shëndetësor në vend. Por duhet të dihet se pa një infermieri të vlerësuar, nuk ka një shëndetësi të përparuar", sqaron më tej, Sekretarja e Përgjithshme e Urdhërit të Infermierit, Mimoza Bino.

Ndërkaq, një problematikë tjetër e konstatuar në konferencat rajonale të infermierisë nga Urdhëri i Infermierit, ka qenë edhe ajo mbi mungesën e standardizimit të veshjes së tyre. Kjo në fakt është një detyrë institucionale për t'u përmbushurr nga ana e spitaleve dhe është një dukuri e cila vihet re në të gjitha qytetet. Duhet një veshje standarde dhe jo të lihet në varësinë personale të zgjedhjes së secilit prej tyre.

Nga ana tjetër, gjatë diskutimeve në tavolinat e rrumbullakëta u ngrit edhe problematika e nivelit profesional të infermierëve. Ekzistojnë disa çështje të formimit të tyre profesional, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me mangësi në arsimimin praktik të profesionit të tyre.

Që të gjitha, sipas drejtuesve të Urdhërit të Infermierit, këto flasin për një nevojë të ndryshimeve në aspektin e trajtimit të profesionit të infermierit, i cili duhet të jetë më i vlerësuar në të gjitha aspektet, pasi mbetet sektori i cili është i pranishëm në çdo etapë të shërbimit shëndetësor, pra i pashmangshëm dhe mjaft i rëndësishëm.

Në këtë kuadër, ata vlerësojnë se ka qenë mjaft efikas zhvillimi i të gjitha aktiviteteve në kuadrin e Muajit të Infermierisë (12 prill-12 maj), pasi dolën në pah problematikat akute të këtij sektori, të cilat meritojnë të gjejnë zgjidhje, për të patur një shërbim infermieror sa më të zhvilluar dhe modern, sipas kërkesave të ndërkombëtarëve.

n.e/NOA

KOMENTE