English

Opozita shqiptare bojkoton ceremoninë e emërimit të Ivanov: Nuk ftuan Sejdiun

Shkup, 11 maj, NOA - Presidenti i ri i Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov nesër do të emërohet zyrtarisht si shefi i ri i shtetit fqinj. Sipas paralajmërimeve, presidenti i deritanishëm, Branko Cërvenkovski i shoqëruar nga garda shtetërore do ta pres Ivanovin para Parlamentit të Maqedonisë dhe më pas do të hyjnë në sallën plenare.

Skenari i seancës parasheh që ajo të fillojë në mesditë me e himnit të Maqedonisë, ku pastaj Ivanovi do të japë deklaratë para Kuvendit, me të cilën do të detyrohet në pesë vitet e ardhshme me ndërgjegjie dhe përgjegjësi ta udhëheq shtetin maqedonas.

Pas dhënies së betimit, presidenti i ri do ta mbajë fjalimin e tij të parë në Parlament

Në ceremonin e inaugrumit do të merrë pjesë kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, kabineti qeveritar, përfaqësues të institucioneve tjera, korri diplomatik, përfaqësues të gjyqësisë dhe të bashkësive fetare.

Por Lideri i Partisë Shqiptare Demokratike, Menduh Thaçi ka deklaruar se do ta bojkotojë këtë ceremoni, pasi se nuk është ftuar presidenti i shtetit të Kosovës, Fatmir Sejdiu. Ai gjithashtu ka theksuar se presidenti i sapozgjedhur nuk e gëzon legjitimitetin e shqiptarëve, sepse nuk ka marrë votën e tyre.

Ceremonia e inaugurimit do të bojkotohet edhe nga partite tjera shqiptare më vogla të cilat janë shprehur të revoltuara me anashkalimin e presidentit kosovar. Pjesëmarrjen në këtë ceremoni e ka konfirmuar vetëm lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti partia e të cilit është pjesë e koalicionit qeveritar.

Pas seancës solemne do të ketë koktej në sallën e kristaltë, pastaj do të pasoj "kafja e presidentëve", e presidentit të ri Ivanov dhe Cërvenkovskit.Ceremoninë zyrtare do ta përcjellin edhe disa burrështetas të jashtëm, në mesin e të cilëve presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq, i Shqipërisë, Bamir Topi, i Malit të Zi, Filip Vujanoviç dhe ai serb, Boris Tadiq.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka deklaruar të dielën se ende nuk ka marrë ftesë zyrtare nga Shkupi për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri të Maqedonisë Gjorgje Ivanov të martën në Shkup.

"Jo unë nuk kam marr ftesë. Është çështje e vlerësimeve se si e vlerësojnë ata se kur do të duhej ta dërgojnë ftesën. Nuk kam çfarë të shtojë më shumë për këtë çështje ", deklaroi presidenti Sejdiu me të mbërritur në Aeroportin e Prishtinës, pas përfundimit të vizitës së tij në Turqi.

Për shkak të emërimit të presidentit të sapozgjedhur të Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) më 12 maj do të ndërmarrë masa të rrepta të sigurisë dhe do të vendos regjim të posaçëm të komunikacionit, në rrugët ku do të kalojnë mysafirët e lartë dhe delegacionet, të cilët do të marrin pjesë në inaugurimin. Siç kumtoi MPB-ja, në atë ditë, komunikacioni në rrugën "11 Tetori" para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, prej orës 11 deri në orën 14 do të kahëzohet në rrugët tjera në afërsi.

NOA-INA

KOMENTE