Telaviv, 11 maj, NOA - Papa Benedikti XVI, ka mbërritur në Izrael, në kuadrin e një vizite që ka ndërmarrë në Lindjen e Mesme. Pas Jordanisë, ku ka lëshuar mesazhe për botën myslimane, Papa ka deklaruar në Izrael se do të nderojë gjashtë milionë hebrenj, viktima të Holkaustit nazist dhe se do të luftojë antisemitizmin e ditëve të sotme në të gjithë botën.
 "Do kem mundësinë për të nderuar kujtimin e gjashtë milionë hebrenjve, viktima të Holokaustit", u shpreh Papa në Izrael.
Sipas tij, antisemitizmi vazhdon të nxjerrë kokën e tij të shëmtuar në shumë pjesë të botës. "Kjo është plotësisht e papranueshme. Çdo përpjekje duhet bërë për të luftuar antisemitizmin kudo që ai shfaqet", deklaroi kreu i Selisë së Shenjtë.
Në kuadrin e vizitës së tij në Lindjen e Mesme, Papa Benedikti ka kremtuar meshën e së dielës në Jordani para mijëra të krishterëve të ardhur nga e gjithë Lindja e Mesme. Rreth 50 mijë vetë morën pjesë në meshën e mbajtur nga Papa në Stadiumin e Amanit, ku vetëm dy përqind e popullatës kryesisht myslimane të këtij vendi është katolike. Papa Benedikti i bëri thirrje të krishterëve të mbrojnë fenë e tyre dhe tha se bashkësia katolike është e shqetësuar nga vështirësitë në rajon. Kjo është vizita e parë në Lindjen e Mesme e Papës në cilësinë e Drejtuesit të Kishës Katolike Romane. Â
n.e/NOA