Tiranë, 11 maj NOA - Parlamenti Rinor Shqiptar i drejtohet me një thirrje të posaçme politikës dhe institucioneve qendrore shqiptare duke kërkuar që fëmijët të mos përdoren për mitingje.
Thirrja i drejtohet partive politike që garojnë në zgjedhjet e 28 Qershorit dhe për dijeni KQZ-së, Parlamentit; Avokatit të Popullit; UNICEF-it dhe institucioneve të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e fëmijës në Shqipëri.
Në një konferencë për shtyp, përfaqësuesit e Parlamentit Rinor pohuan se ka ndjekur me vëmendje situatën zgjedhore duke shpresuar që politikanët, shërbëtorët e popullit, të votuar prej prindërve tanë, të përpiqen për një të ardhme më të mirë për të rinjtë e moshës sonë.
"Në prag të fillimit zyrtar të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare kemi vënë re që janë përdorur fëmijë nën moshën 18 vjeç, gjë kjo që bie ndesh me Konventën e të Drejtave të Fëmijëve në të cilën ndalohet përdorimi i fëmijëve në fushata elektorale. Një fenomen ky, krejtësisht i paimagjinueshëm për vendet evropiane, me të cilët aspirojmë të bashkëjetojmë në të ardhmen", vëren Parlamenti Rinor.
Ai po ashtu evidenton faktin se prej vitesh në Shqipëri fëmijët dhe të rinjtë përdoren si fasadë elektorale, por shumë rrallë ata janë objekt i premtimeve të subjekteve politike. Parlamenti Rinor prej vitesh e denoncon këtë fenomen, dhe fatkeqësisht reagimi ka qenë tepër sporadik dhe i pandjeshëm për shoqërinë.
"Gjejmë rast t'ju kujtojmë zgjedhjet e vitit 2005 ku së bashku me Presidentin e Republikës kërkuam mospërdorimin e fëmijëve në fushatë, kërkesë kjo që nuk u respektua nga pjesa më e madhe e kandidatëve të asaj kohe", - kujton Parlamenti Rinor.
Një strukturë përfaqësimi e votuar prej mijëra të rinjsh, në ndjekje të politikave UNICEF në Shqipëri, i cili prej vitesh mbron të drejtat e fëmijëve, Parlamenti Rinor i bën thirrje subjekteve politike që të tregohen më të përgjegjshëm dhe të respektojnë të drejtat e fëmijëve në fushatat e tyre elektorale.
e.l/NOA