English

Përfituan në mënyrë të kundraligjshme 167 viza në Ambasadën Hungareze, ndalohen nga policia

Tiranë, 11 maj NOA - Përfituan 167 viza në mënyrë të kundraligjshme në Ambasadën Hungareze në Tiranë, përfundojnë në qeli dy persona dhe ndiqen në gjendje të lirë katër të tjerë.

Hetimet për zbulimin e mënyrës së marrjes së vizave u kryen nga Drejtoria Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë se Shtetit në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Durrës, Drejtoritë e Policive të Qarqeve Durrës dhe Tiranë.

Burime nga policia thanë për agjencinë e lajmeve NOA se dje u ndaluan Iris Çekani, 35-vjeçe lindur dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë, me detyrë administratore e agjencisë turistike "MAR-EST.TRAVEL" dhe Valter Marashi, 21-vjeç lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë, studentë i vitit II-të, fakultetit Juridik në Universitetin UFO.

Sipas policisë ndalimi i tyre u bë pasi në datë 6 maj 2009 agjencia turistike e "MAR-EST.TRAVEL", duke mashtruar për destinacionin e udhëtimit nga Sllovenia në Spanjë ka marrë në mënyrë të kundraligjshme 167 viza turistike në Ambasadën Hungareze në Tiranë.

Në listën e marrjes së vizave përveç studentëve të Universiteteve private janë futur dhe persona të tjerë që nuk kanë qenë studentë, por me dokumenteve të falsifikuara, me qëllim përfitimin e pa rregullt të vizave që të kalonin kufirin shtetërorë për në vendet e Evropës.

Veç dy të ndaluarve policia referoi në prokurori materialet procedurale në gjendje të lirë dhe për katër persona të cilët janë, Marios Rizai, 23-vjeç lindur dhe banues në Berat, pa punë, me arsim të mesëm, Taulante Bega, 22-vjeç, lindur dhe banues në Berat, pa punë, me arsim të mesëm, Nazmi Zeneli, 18-vjeç lindur dhe banues në Lushnjë, pa punë, me arsim 8-vjeçar si dhe Ada Qadhimi, 24-vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, pa punë, me arsim të larte.

"Procedimi penal në ngarkim të tyre filloi pasi me dokumente të falsifikuara prej agjencisë ‘MAR-EST.TRAVEL", janë pajisur me viza turistike për të udhëtuar jashtë shtetit kundrejt pagesave në shuma të konsiderueshme. Këto viza janë anuluar nga Ambasada Hungareze në Tiranë dhe të gjithë personat e pajisur me viza janë kthyer në portin e Durrësit" bëri të ditur Policia e Shtetit.

k.k/NOA

KOMENTE