English

PS, paralajmërim në Kuvend Qeverisë: Harrojeni zgjedhjet pa kartat e reja

Tiranë, 11 maj NOA - Partia Socialiste (PS), paralajmëroi sonte se qeveria duhet ta harrojë zhvillimin e zgjedhjeve më 28 qershor nëse kartat e identitetit nuk do t'u shpërndahen të gjithë shqiptarëve që nuk posedojnë pasaporta ndërkombëtare.

Paralajmërimi i fortë u bë nga Valentina Leskaj, kryetare e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, duke folur në seancën plenare që po zhvillohet në Kuvend.

"Qeveria ta harrojë zhvillimin e zgjedhjeve pa kartat e identitetit", - theksoi Leskaj, duke renditur një numër problemesh që tha se ka në zona të ndryshme të vendit, për aplikimin e shtetasve që nuk disponojnë pasaporta.

Sipas PS, fakti që Ministria e Brendshme vazhdimisht ka refuzuar kërkesën për të vënë në dispozicion listën e plotë të shtetasve me pasaportë hedh hije dyshimi, se në këtë proces ka pasur dhe ka përpjekje të orkestruar për të zvogëluar numrin e shtetasve pa pasaportë.

Partia Socialiste ka filluar një inspektim në terren lidhur me gjithë shqetësimet që ne vazhdojmë t'i ngremë lidhur me procesin e aplikimit për letërnjoftime.

Ajo prej ditësh po shpreh shqetësimin se procesi i shpërndarjes së letërnjoftimeve po has në pengesa serioze.

Sipas saj, shumë zyra postare në një pjesë të vendit nuk po aplikojnë tarifat e reja ose edhe kur i aplikojnë nxjerrin probleme për shumë persona.

Gjithashtu, PS konstaton se në shumë zona të vendit posta shqiptare akoma aplikon tarifën e plotë duke devijuar nga kërkesat e VKM-së.

e.l/NOA

KOMENTE