English

Sot në Gjykatën e Lartë, "super-seanca" për tragjedinë e Gërdecit, me 29 të pandehur

Tiranë, 11 maj, NOA - Në Gjykatën e Lartë pritet të zhvillohet e ashtuquajtura "super-seancë" mbi gjykimin e tragjedisë së Gërdecit, për numrin më të madh të patur ndonjëherë të të pandehurve dhe peshës së rëndësisë së saj.

Pas shtyrjes që i bëri Kolegji Penal në datën 4 maj, për shkak të mosparaqitjes së një pjese të tyre, është vendosur që seanca e radhës të mbahet ditën e sotme, ku parashikohet të paraqiten gjithë të pandehurit, në mënyrë që ata të njihen zyrtarisht me akuzat ndaj tyre për shpërthimin tragjik të 15 marsit 2008 në Gërdec.

Pritet që në këtë gjykim, të jenë të pranishëm edhe tre të arrestuarit që janë ndaluar që pas momentit të shpërthimit.

Ata janë administratori i Alba-Demil Mihal Delijorgji, Drejtori i MEICO, Ylli Pinari dhe përgjegjësi i fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec, Dritan Minxolli.

Lista e gjatë e të pandehurve kryesohet nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe ish-kreu i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Luan Hoxha.

Në fillim akt-akuza ka qenë vetëm për 17 persona, por më pas rrethi i tyre u zgjerua, përgjatë hetimeve të kryera nga organi i akuzës.

Ndërkaq, në listën e 29 personave të akuzuar të këtij procesi gjyqësor, gjenden edhe tre persona, të cilët prej kohësh po mbahen nën arrest duke vuajtur dënim me burgim, edhe pse sot realisht është seanca e parë gjyqësore e cila po zhvillohet lidhur me këtë proces.

Më shumë se 30 veta janë cilësuar si të dyshuar nga prokuroria për këtë ngjarje, por vetëm këta të tre, janë arrestuar.

Nga ana tjerët, bëhet e ditur nga organi i akuzës se lista e dëshmitarëve përmban një listë prej 490 personash, 123 prej të cilëve janë punonjës të firmës "Albademil" të cilët kryenin demontimin e predhave dhe të fishekëve.

Bilanci i shpërthimit në Gërdec në 15 mars të vitit të kaluar ka qenë tragjik. Gjatë tij mbetën të vrarë plot 26 persona, ndërsa 300 të tjerë u plagosën dhe 3 mijë banesa të kësaj zone pësuan dëmtime të pariparueshme.

n.e/NOA

Â

KOMENTE