Elbasan, 11 maj NOA - Transportonte klandestinë drejt kufirit Grek, arrestohet një 46-vjeçar ndërsa është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij.
Burime nga policia e Elbasanit bënë të ditur për agjencinë e lajmeve NOA, se një 46- vjeçar u arrestua mbrëmë, ndërsa u shpall në kërkim policor bashkëpunëtori i tij, pasi të dy akuzohen për veprën penale "ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit". I arrestuari me iniciale A.P, po tentonte të transportonte me automjetin e tij tip "Ford" me targa EL 7102 A, disa persona me destinacion rrethin e Korçës, që donin të kalonin ilegalisht kufirin Grek. Burimet nga policia shtua se shtetasit që ndodheshin në automjet, i kishin paguar 40-vjeçarit Ardian Presheva, që është shpallur në kërkim policor, nga 650 euro secili.
Pas mbledhjes së eurove, ai i ka nisur me të arrestuarin, 46-vjeçarin A.P. drejt Korçës. Strukturat e seksionit kundër trafiqeve të paligjshme po punojnë intensivisht për dokumentimin e plotë të ngjarjes si dhe kapjen e 40-vjeçarit Presheva.
k.k/NOA