Tetovë, 11 maj, NOA - Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi deklaroi në Tetovë se patjetër duhet të arrihet një marrëveshje e re, për shkak të mosfunksionimit dhe skadimit të afateve të Marrëveshjes së Ohrit.
Ai këtë e deklaroi në kuvendin qendror të PDSH-së të, ku u votuan edhe ndryshimet dhe emërimet e reja në kryesinë e kësaj partie. "Marrëveshja e Ohrit është me afat të skaduar. Është koha për një marrëveshje të re, më precize dhe më obliguese. Fajtor për mosimplementimin e Marrëveshjes aktuale të Ohrit është BDI, e cila për interesa personale e dogji epopenë historike të popullit shqiptar", ka theksuar Thaçi. Në radhët e kryesisë së re janë emëruar si nënkryetarë të rinj Mirushe Hoxha, kandidatja presidenciale e kësaj partie në zgjedhjet e fundit si dhe Azem Ismani, ndërsa nga detyrat e deritanishme janë shkarkuar deputetja dhe anëtarja e kryesisë Flora Kadriu dhe nënkryetarët e deritanishëm Mevlan Tahiri dhe Besim Dogana, i cili më parë ishte larguar me vendim të kryetarit të PDSH-së nga radhët e kësaj partie. Në mbledhjen e kryesisë është zvogëluar numri i kryesisë nga 40 në 30 anëtarë. Anëtarë i kryesisë së PDSH-së është zgjedhur edhe Sadi Bexheti, kryetari aktual i komunës së Tetovës.
NOA-INA