Mitrovicë, 12 maj, NOA - Përfaqësuesit e këshillit protestues të serbëve në veri të Kosovës, thonë se kanë arritur marrëveshje me autoritetet ndërkombëtare, që krahas shqiptarëve, edhe ata njëkohësisht të fillojnë ndërtimin e shtëpive të serbëve në lagjen Kroi i Vitakut. Në këtë mënyrë, përfaqësuesit e serbëve në pjesën veriore të Mitrovicës konfirmojnë se kanë hequr dorë nga protestat kundër ndërtimit të shtëpive të shqiptarëve në lagjen Kroi i Vitakut.
Sipas serbëve, ndërprerja e protestës erdhi si rezultat i marrëveshjes që kanë arritur me përfaqësuesit ndërkombëtarë, që edhe serbët të fillojnë ndërtimin e shtëpive të tyre në këtë zonë. Fillimisht serbët kishin kërkuar që ndërtimi i shtëpive në këtë lagje të shkojë sipas orarit 7 ditë pune për shqiptarët dhe po aq për serbët. Por, pas bisedimeve të sotme, njëri nga përfaqësuesit serb nga kjo lagje, Nebojsha Miliç, tha se komuniteti ndërkombëtar ka marrë përgjegjësinë që punimet të shkojnë paralelisht, pasi që për sigurinë do të përkujdeset EULEX-i dhe KFOR-i.
Kanë premtuar garantimin e sigurisë... Ndërkombëtarët kanë marrë përgjegjësinë mbi vete dhe tash pritet të fillojnë punimet edhe të pesë shtëpive të serbëve...
"Kanë premtuar garantimin e sigurisë. Ne patëm kërkuar ndarjen e kohës së punimeve, që një javë të punojnë shqiptarët dhe një javë serbët. Por, ndërkombëtarët kanë marrë përgjegjësinë mbi vete dhe tani pritet të fillojnë punimet edhe të pesë shtëpive të serbëve", thotë Miliç. Kjo marrëveshje, që, sipas tij, është arritur me UNMIK-un, por në mënyrë indirekte edhe me EULEX-in, do të ndikojë që protestat e serbëve të ndalen. Ndërkohë, zëdhënësi i EULEX-it në Mitrovicë, Hans Christian Clasing, thotë se roli i EULEX-it nuk është që të arrijë marrëveshje, por vetëm të përkujdeset për sigurinë. Marrëveshjet, sipas tij, u takojnë palëve të interesuara dhe administratës së UNMIK-ut. Kurse, EULEX-i më pas merr përgjegjësinë për sigurinë. "Ne duam që të sigurohemi se kushdo që ndërton në pronën e vet legale, do ta bëjë këtë në rrethana paqësore dhe do të mbrohet nga çfarëdo dhune", tha Christian Clasing. Serbët e kësaj pjese të Mitrovicës nga 22 prilli kanë protestuar, duke kundërshtuar ndërtimin e shtëpive të fqinjëve të tyre shqiptarë, të rrënuara qysh në kohën e luftës. Por, banorët shqiptarë tash duan t'i rindërtojnë ato dhe të kthehen të jetojnë në pronat e tyre. Ndërsa në Mitrovicë flitet për marrëveshje, në rajonin e Gjilanit, dje, mbi 20 policë kosovarë kanë marrë lëndime nga protestuesit serbë, të cilët po kundërshtonin çkyçjen e tyre nga rrjeti elektrik, për shkak të mospagesës së rrymës. Kurse sot, zëdhënësi rajonal i policisë, Ismet Hashani, tha se gjendja është më e qetë. "Deri tani është qetë realisht dhe nuk po vërejmë asnjë problem. Në fshatin Pasjan kishte një tubim qytetarësh, diku 100 veta, por nuk pati telashe dhe probleme", tha zëdhënësi Hashani. Gjatë protestave të fundit të serbëve, si në Mitrovicë, ashtu edhe rrethinë të Gjilanit, policia është detyruar të përdorë dhe gazin lotsjellës për t'i shpërndarë ata.
NOA-INA