Shkup, 12 maj NOA - Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi nuk ka zhvilluar takim të posaçëm me kryeministrin Nikolla Gruevski, takim i cili ishte parashikuar në axhendën e Qeverisë në Shkup.
Lajmi bëhet i ditur nga agjencia e lajmeve INA, duke u cituar burime qeveritare, të cilët konfirmojnë mohimin e presidentit shqiptar për takim me Gruevskin.
Sipas tyre, Presidenti shqiptar Bamir Topi ka anashkaluar një takim protokollar me kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Gruevski.
Kabineti i kryeministrit Gruevski e ka sqaruar në një komunikatë se "për shkak të qëndrimit të shkurtër të delegacionit të Republikë së Shqipërisë, Bamir Topi, kryetari i Qeverisë Nikolla Gruevski, në margjinat e inaugurimit realizoi takim të shkurtër joformal dhe përshëndetës me presidentin shqiptar".
Ndërkohë, siç bëhet e ditur Gruevski ka zhvilluar takime të ndara zyrtare me presidentin kroat Stipe Mesiç, atë serb Boris Tadiç dhe presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç.
"Takimet kaluan në atmosferë miqësore dhe në të njëjtat u përfshinë më shumë tema të rëndësishme për perspektivat për zhvillim të rajonit dhe thellimin e bashkëpunimit bilateral mes shteteve", - thuhet në komunikatën e Qeverisë së Maqedonisë.
Theks i veçantë në takime, sipas komunikatës, u vu në masat dhe aktivitetet të cilat shtetet i ndërmarrin në fushën e realizimit të integrimeve evropiane dhe euroatlantike, si dhe pesha e të njëjtave integrime për stabilitetin e rajonit".
z.h/NOA/INA