Tiranë, 12 maj NOA - Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe, ka dhënë një deklaratë sot në maternitetin "Mbretëresha Geraldinë" me anë të së cilës ka deklaruar se Berisha po fut në borxhe edhe fëmijët e porsalindur.
""Dje, ashtu si të gjithë ju, apo si të gjithë shqiptarët, edhe unë dëgjova se kryeministri i vendit kishte punuar fort gjatë këtyre 4 viteve të fundit, për familjen e tij, për fëmijët e tij dhe për fëmijët e fëmijëve të tij dhe në fund fare kishte punuar edhe për fëmijët e shqiptarëve. Natyrisht, që kryeministri tha që kishte punuar njësoj për fëmijët edhe të tij edhe të fëmijëve të tij edhe të fëmijëve të shqiptarëve. Për fat të keq gënjen. Dje Parlamenti i Shqipërisë miratoi shtatë marrëveshje huaje, pra borxhi, me vlerë 496 milionë dollarë. Këtu jemi në maternitetin e Tiranës' u shpreh Braçe.
"Në rast se doktor Halimi i pret dhe iu jep jetë fëmijëve të çdo shqiptari këtu në maternitet, në rast se Bashkia e Tiranës i pret fëmijët që lindin këtu, me një depozitë prej 50 dollarësh për secilin prej tyre, në rast se gjithsecili prej nesh kontribuon me taksat e tij për t'i pritur sa më mirë këta fëmijë, qeveria e Sali Berishës, vetëm dje, me borxhin prej 496 milionë dollarësh, i priti fëmijët e shqiptarëve me 165 dollarë borxh për frymë.
Përgjatë këtij viti, përgjatë vitit 2009, Sali Berisha do ta çojë borxhin e këtyre fëmijëve të porsalindur në 200 dollarë për frymë dhe së bashku me stokun e borxhit të krijuar deri tani, pra deri në fillim të vitit 2008, borxhi për secilin nga fëmijët që lindin sot, do të arrijë në 2366 dollarë për frymë' shtoi më tej Erjon Braçe.
Sipas tij ky është dallimi midis Sali Berishës, fëmijëve të tij, fëmijëve të fëmijëve të tij dhe fëmijëve të shqiptarëve.
Braçe u shpreh se "më 28 qershor kjo gjë duhet të ndryshojë, ndaj ne apelojmë çdo familje shqiptare, çdo prind të ri që kërkon të sjellë në jetë një fëmijë, këtu në maternitetin e Tiranës, që t'i japim fund me votë kësaj politike që ngarkon dhe të porsalindurit me borxhe marramendëse dhe i zhyt ata gjithë jetën në borxhe marramendëse".
k.k/NOA