(Bahri Fazliu, marrëveshja LKÇK-UÇK dhe Agron Rrahmani)
Nga Valon Murati
1.
Viti 1998 ishte një vit i veçantë për lëvizjen çlirimtare në Kosovë.
Pas goditjeve që kjo lëvizje kishte pësuar në fillim të vitit 1997, përmes arrestimeve të anëtarëve dhe krerëve të të UÇK-së dhe të LKÇK-së, dhe vrasjeve të Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës e të Hakif Zejnullahut, fillimi i vitit 1998, sidomos pas sakrificës sublime për liri (ndoshta sakrificës më të madhe për liri që në shekullin e 20-të është bërë nga ndonjë individ e lë më familje) të Adem e Hamëz Jasharit me familje, shënoi një rritje të paparë të lëvizjes çlirimtare deri më atëherë, që kanalizohej pas kësaj date përmes emrit të UÇK-së.
UÇK-ja, deri më atëherë një organizatë ilegale politiko-ushtarake, filloi të shndërrohej brenda natës në shumë rajone të Kosovës në një ushtri të vërtetë kryengritëse. Ajo që ndodhi më 5 mars të vitit 1998, në Prekaz, ishte kushtrimi për fillimin e një kryengritjeje çlirimtare, e cila do të duhej ta instalonte një politikë të re - atë çlirimtare, dhe ta fundoste të ashtuquajturën politikën pacifiste, gjë e cila asnjëherë nuk ndodhi në përmasat e duhura (politika pacifiste edhe pas asaj date vazhdoi ta dëmtojë rëndë politikën çlirimtare, dhe dikur u bë një përzierje e tillë në mes të dyjave, që duke mos qenë një bashkim parimor, filluan edhe të mos dalloheshin nga njëra-tjetra).
Sidoqoftë, pas një dekade nënshtrimi të politikës së Prishtinës ndaj politikës shoviniste të Millosheviqit, pas 5 marsit 1998 pati një ndryshim rrënjësor, që solli edhe ndryshimin e fatit të Kosovës dhe në fund edhe dhënien fund të sundimit serb. Shumica e kësaj pjese të historisë dihet. Ajo që shpeshherë në këtë mes harrohet, injorohet e anashkalohet, është roli i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK), në lëvizjen çlirimtare dhe posaçërisht në luftën çlirimtare.
Ky injorim ka ndodhur për shkak të shumë shkaqeve, dy prej të cilave do t'i theksoja me këtë rast. E para ka të bëjë me luftën speciale që i është bërë idesë së bashkimit kombëtar pas vitit 1999 në Kosovë, dhe në këtë drejtim të gjitha subjekteve që e kanë përfaqësuar këtë ide.
Që pas mbarimit të luftës është zhvilluar një luftë speciale ndaj LKÇK-së për ta stigmatizuar si ekstremiste, radikale dhe organizatë të dalë mode. E dyta ka të bëjë me vetë LKÇK-në dhe pamundësinë e saj për ta gjetur veten si duhet në skenën politike të Kosovës së pas vitit 1999.
LKÇK-ja u bë një viktimë e pamundësisë për ta bërë transformimin e duhur politik në rrethanat e një beteje politike tani më legale dhe në rrethana të reja. Në kontekstin e kontributit të anashkaluar të LKÇK-së shkurtimisht do t'i trajtoj tri ngjarje të rëndësishme që kanë ndodhur prej 7 deri më 12 maj të vitit 1998. Më 7 maj është vrarë njëri ndër udhëheqësit e LKÇK-së, Bahri Fazliu, më 11 maj është nënshkruar marrëveshja në mes të LKÇK-së dhe UÇK-së dhe më 12 maj është vrarë një tjetër figurë e rëndësishme e LKÇK-së Agron Rrahmani.
2.
Bahri Fazliu ishte ndër themeluesit e LKÇK-së në vitin 1993, ndërsa në vitin 1998 u vra si udhëheqës i saj. Kur u vra ishte vetëm 27 vjeçar. Por vetëm në vite ishte i ri, përderisa në punë, veprimtari, organizim, shkrime ai ishte një veteran i vërtetë. Një jetë e tëra për atdhe dhe popull.
Duke qenë se jetën ia kishte kushtuar lirisë dhe bashkimit të kombit shqiptar, edhe rënia e tij, në trekufirin që ndan tokat shqiptare (në mes të Republikës së Shqipërisë, të Kosovës dhe të Malit të Zi), u shndërrua njëkohësisht në refleksion të kësaj ndarjeje dhe në simbol të nevojës së bashkimit.
Vëlla i dëshmorit Fahri Fazliu që u vra së bashku me Afrim Zhitinë më 2 nëntor të vitit 1989, herët ishte i lidhur me lëvizjen ilegale si anëtar i Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK), madje për disa muaj, duke provuar edhe burgun si gjimnazist i Prishtinës. Ideolog, militant, poet, politikan, analist e gazetar, artist i gjithanshëm, humanist, ishte një ndër emblemat e lëvizjes çlirimtare në Kosovë.
Ishte ndër vizionarët që besoi thellë qysh në fund të viteve tetëdhjetë dhe fillim të viteve nëntëdhjetë se e vetmja rrugë për çlirimin e Kosovës ishte organizimi i luftës çlirimtare si domosdoshmëri e kohës dhe si diçka e pashmangshme.
Këtij misioni ia kushtoi jetën e vet të re, duke bërë që tërë rininë e vet ta shkrinte dhe t'ia dhuronte këtij vendi dhe lirisë së popullit të tij. Atëherë kur shumëkush u përshtat me jetën e rëndë të viteve nëntëdhjetë dhe kur kënaqësinë filluan ta gjenin në një bashkëjetesë të çuditshme me situatën e rëndë të pushtimit, ai kënaqësinë e gjente në të kundërtën, duke punuar që ta kthjellonte njeriun tonë për këtë situatë të rëndë nëpër të cilën po kalonte, duke e dekonstruktuar këtë situatë me shkrime dhe me organizim të çdoditshëm.
Prej vitit 1993 ai këtë punë e bënte në ilegalitet të plotë, një jetë e rëndë e plotë sakrifica, përmes organizimit të radhëve të LKÇK-së, përmes punës në organin e saj "Çlirimi" dhe shpërndarjes së tij nëpër Kosovë, përmes vendosjes së bazave për ta filluar luftën çlirimtare në mënyrë sa më të organizuar. Ai ishte ndër njerëzit që e krijoi gazetën "Çlirimi", gazetë e cila në historinë e lëvizjes çlirimtare ilegale e ka një histori të veçantë. Prej vitit 1993 e deri në vitin 1999 "Çlirimi" u përgatit e u shtyp ilegalisht në Kosovë dhe u shpërnda për çdo muaj tek qytetarët e Kosovës, fshehurazi, netëve të vona, si një lajmëtar i hershëm i lirisë. Asnjë organ ilegal deri më atëherë nuk është shtypur dhe shpërndarë për një kohë kaq të gjatë dhe atë brenda në Kosovë.
Ai në fillim ishte anëtar i redaksisë së saj e dikur, prej vitit 1997 edhe kryeredaktor i gazetës "Çlirimi". Ai jetoi këtu në qytetin tonë të Prishtinës, këtu në mesin tonë, në ilegalitet të thellë për më shumë se 6 vite, deri në rënien e tij. Ai jetoi mes nesh, në kohën kur shumë nga ne aktronim se po bëjmë jetë normale.
Por në të vërtetë me punën e tij kundër pushtimit ai bënte jetën normale të një biri të këtij populli që ishte egërsisht i shtypur. Dhe me atë jetë të denjë ai përpiqej të na nxirrte nga bataku i anormales ku ishim zhytur keqas (mbi të gjitha si pasojë e politikës sonë) dhe me të cilën kishim filluar të përshtateshim. Por ai kur nuk dëshpërohej në njeriun tonë, sepse besonte në këtë popull dhe në vetëdijesimin e tij.
Atë askush nuk mund ta hidhëronte me popullin, as atëherë kur i takonte pakicës dhe mundohej t'i nxirrte të tjerët nga vorbulla e nënshtrimit në të cilën jetonin. Por ai njëkohësisht ishte i pamëshirshëm dhe i pakompromis në goditjen e politikës së nënshtrimit e cila mbretëronte asokohe në Kosovë, duke konsideruar se pa mposhtjen e politikës pacifiste është e pamundshme të realizohet një organizim i suksesshëm i popullit për luftë.
Ai nuk do të ndihej i dëshpëruar as sot kur do të shihte se nuk janë realizuar shumë nga idealet për të cilat ai ka punuar dhe luftuar. Për më tepër, kjo situatë do të ishte një motiv më tepër për ta vazhduar punën dhe përpjekjet për një jetë dhe të ardhme më të mirë.
3.
Kur flitet për luftën çlirimtare të viteve 1998-99, një ngjarje e rëndësishme harrohet e injorohet qëllimisht nga disa qarqe, kurse për shkak të interesave meskine të këtyre qarqeve kjo ngjarje ka mbetur e panjohur sa duhet tek opinioni i gjerë. Është fjala për marrëveshjen në mes të LKÇK-së dhe të UÇK-së për bashkimin e potencialeve të tyre në luftën çlirimtare.
Për njohësit e rrethanave, të atyre që kanë njohur filozofinë politike të LKÇK-së dhe të UÇK-së, dihet se këta dy organizma kanë pasur dallime konceptuale mbi mënyrën e organizimit të luftës çlirimtare.
Për të mos hyrë më thellë, do ta përmbledh këtë dallim me sa vijon: LKÇK ka menduar se vetëm pas një pune serioze politike me popullin në rrugën e luftës çlirimtare, që do të konsistonte në një punë të gjerë propagandistike dhe agjitative, dhe pas organizimit të tij, do të duhej të fillonte lufta çlirimtare, përderisa UÇK ka menduar se propaganda më e mirë janë aksionet ushtarake, se ato do ta mobilizojnë atë pa i dhënë shumë rëndësi punës politike me qytetarët.
Këto dallime kanë bërë që këto dy organizma të kenë divergjenca në mes vete, që kanë penguar ndonjë shkrirje të tyre më herët, por që nuk kanë penguar përpjekjet për bashkëpunim dhe koordinim të veprimtarisë. Sidoqoftë, me fillimin e luftës, në një mënyrë apo në një tjetër, mbizotëroi koncepti i UÇK-së. Në këto rrethana edhe LKÇK me tërë potencialin e vet iu rrek organizimit të njësiteve luftarake që do të kontribuonin në luftën çlirimtare.
Në disa rajone, edhe pa bashkim në kreun e organizmave, njerëzit dhe njësitet filluan të bashkëpunojnë dhe të bashkohen. Sidoqoftë, puna e ndarë në disa rajone krijonte edhe rivalitete të dëmshme për situatën në të cilën gjendej organizimi luftarak, andaj shtrohej domosdoja që për të mos e penguar organizimin e luftës, LKÇK-ja dhe UÇK-ja të merreshin vesh.
Nuk ka dyshim se në aspektin propagandistik dhe në atë politik, në ato rrethana, UÇK kishte marrë primatin, dhe mbi të gjitha mënyra e saj e organizimit të luftës kishte triumfuar. Sidoqoftë, duke qenë se në terren LKÇK-ja kishte për kohën një potencial të rëndësishëm, edhe UÇK-së i leverdiste bashkëpunimi.
Në këtë situatë, pas një periudhe negocimi, më 11 maj të vitit 1998 u nënshkrua marrëveshja në mes të LKÇK-së dhe të UÇK-së, që konsistonte në dy pika themelore.
E para kishte të bënte me shkrirjen e tërë potencialit ushtarak të LKÇK-së nën komandën e SHP të UÇK-së, por duke ruajtur LKÇK-ja subjektivitetin e vet politik, dhe e dyta shtronte rrugën për formimin në të ardhmen të një fronti politik të luftës, të një qeverie që politikisht do ta udhëhiqte luftën dhe UÇK-në, e ku edhe LKÇK-ja do të duhej t'i kishte përgjegjësitë e veta.
Përderisa pjesa e parë e marrëveshjes që ishte obligim i LKÇK-së u plotësua në tërësi, pjesa e dytë e marrëveshjes nuk u plotësua asnjëherë. Sidoqoftë, me gjithë mosrealizimin e tërësishëm të marrëveshjes, kjo marrëveshje ka një rëndësi historike për fatet e luftës dhe atë për dy arsye.
E para, potenciali i UÇK-së u zgjerua dhe u forcua edhe më shumë dhe u shtri edhe në zona që nuk ishte i shtrirë, si dhe u dha një porosi se forcat politike që i janë rrekur organizimit të luftës çlirimtare e kanë pjekurinë e duhur që në momentet e rënda për vendin të bashkëpunojnë e të bëhen bashkë, edhe kur kanë dallime. Kjo porosi e fundit kishte një rezonancë të fuqishme në procesin e fuqizimit të mëtejmë të luftës çlirimtare.
4.
Agron Rrahmani u vra në Prishtinë më 12 maj 1998, një ditë pas marrëveshjes së LKÇK-së me UÇK-në dhe gjashtë ditë pas rënies së Bahriut. Në të vërtetë vdekja e tij, ashtu si edhe jeta e tij kishte një lidhje të pashkëputshme me atë të Bahriut.
Natën e vrasjes ai së bashku me Fatmir Humollin kishin shkuar ta kuptonin të vërtetën për Bahriun, dhe kur po hynin në bazën ilegale ku jetonin, u goditën nga forcat pushtuesit, Fatmiri u plagos, ndërsa Agroni vdiq pas një beteje me ta. Nëse Bahriu ishte ideologu, Agroni ishte militanti, nëse Bahriu ishte poeti, Agroni ishte aksionisti, nëse Bahriu ishte organizatori politik i luftës, Agroni ishte organizatori ushtarak i luftës.
Nëse Bahriu të bënte për vete me humorin e artistit, Agronin nuk mund të mos e doje për buzëqeshjen e lehtë të komandantit. I palodhshëm, i pandalshëm, trim. Atëherë kur armiku dukej i pamposhtur, kur krijoheshin mite mbi forcën e tij, ai tallej me ta, u ikte nga duart, i nënçmonte.
Nga viti 1993 i ndjekur nga policia, jetoi dhe punoi në ilegalitet në Prishtinë bashkë me Bahriun, me Avni Klinakun dhe më vonë edhe me Fatmir Humollin. Jeta e rëndë e ilegalitetit, rezultatet e ngadalshme të punës së rëndë asnjëherë nuk e shkurajuan.. Përkundrazi, ai vetë rritej dhe piqej çdo ditë e më shumë në punën e vazhdueshme të çdoditshme që bënte në organizimin e luftës çlirimtare. Ndihmonte edhe punën politike, në shtypjen dhe shpërndarjen e gazetës "Çlirimi".
Me disiplinë realizonte detyrat e vështira që koha i përcaktonte për organizatorët e luftës. Duke qenë se ishte pasionuar me artin ushtarak, ai edhe u emërua në vitin 1996 si komandanti i parë i njësitit gueril të Prishtinës të LKÇK-së, "Rexhep Mala". Në arrestimet e vitit 1997 i shpëtoi burgut, dhe për një kohë të shkurtër jetoi në Tiranë, për t'u kthyer sërish në Kosovë, në vendin e betejave, në janar të vitit 1998.
Për t'iu kthyer sërish punës në terren, në organizimin e njësiteve luftarake, në organizimin e luftës çlirimtare. Ishte simbol i militantit të paepur, i militantit që luftën e donte vetëm si mjet të domosdoshëm çlirimi, si mjet që do të sillte paqe për të gjithë, paqen e vërtetë, paqen dinjitoze për çdo njeri. Ai jetoi, punoi dhe ra në këtë Prishtinën tonë të dashur.
Ja, mu në mes të këtyre rrugëve tona ishte hije e netëve, që punonte për të na zgjuar nga gjumi, që ishte roja e ëndrrave tona për liri, që ishte tmerri i pushtuesit. Ai së bashku me Bahriun ia shtonin bukurinë dhe dinjitetin këtij qyteti në kohën më të rëndë. Edhe sot kujtimi i tyre e zbukuron këtë qytet, zbukuron Kosovën tonë, që aq shumë e kanë kapur për zverku antivlerat dha imoralitetet nga më të ndryshmet. Edhe sot kujtimi për ta ia shton shpresat njeriut tonë për një jetë më të mirë, për një liri më të plotë.