Vlorë, 12 maj NOA - Kryetari i Partisë Socialiste ka qenë sot në qytetin bregdetar të Vlorës për të prezantuar, Programin e ri qeverisës të socialistëve.
Rama ka folur për një Shqipëri që zhvillohet e gjitha njësoj, për një Shqipëri që të jetë vërtetë e zhvilluar në fshat e në qytet, jo më me zhvillim të diferencuar, ku ca janë të nënës dhe ca janë të njerkës.
"Shqipërinë nënë të të gjithëve do ta bëjmë me këtë politikë të re, e cila është për njerëzit dhe nga njerëzit" tha Rama.
Rama ka akuzuar qeverinë për demagogji në aspektin e rritjes së pagave dhe pensioneve në një kohë që sot me këto paga e pensione të rritura blihet me pak se 4 vjet më parë.
"Kryeministri bashkë me ministrat e të tjerët u tregojnë grafikët e rritjes së rrogave. Me rrogat e rritura të Sali Berishës çuditërisht blejnë më pak se ç'blinin përpara se Sali Berisha të bëhej kryeministër." u shpreh Rama.
Më tej kreu i PS-së premtoi në Vlorë dy projekte të mëdha që do të zhvillohen gjatë qeverisjes së tij.
"Dy projektet e mëdha për të cilat unë do të angazhohem me mish e me shpirt për Vlorën do të jenë fillimi i ndërtimit të një porti europian dhe fillimi i punës për një universitet europian për Vlorën." deklaroi Rama.
Apeli i Ramës nga Vlora për të gjithë Shqipërinë ka qenë për t'ju bashkuar politikës së re të Partisë Socialiste, e cila nuk do qeverisë më e veçuar nga njerëzit por në konsultim të përhershëm me ta, për të qenë një qeverisje me qytetarët dhe për qytetarët.
"Â Vetëm duke e qeverisur së bashku ne mund ta ndryshojmë Shqipërinë, Shqipëria nuk mund të ndryshojë duke u qeverisur nga kutia e televizorit. Shqipëria nuk mund të ndryshojë duke mbetur në duart e pak njerëzve. Shqipëria nuk mund të ndryshojë duke vazhduar të njëjtën këngë që dëgjojmë 18 vjet me radhë. Shqipërinë do ta ndryshojmë duke e nxjerrë politikën nga kutia e televizorit, duke e çuar qeverinë në duart e njerëzve. Do ta ndërtojmë Europën në çerdhet, në kopshtet, në shkollat, në universitetet, në spitalet, në qendrat shëndetësore, në rrugët tona." shtoi më tej Edi Rama.
k.k/NOA