Tiranë, 13 maj NOA - Fillon puna për ndërtimin e banesave të para sociale, në zonën e ish-Uzinës së Autotraktorëve në Shkozë, për 400 familje të pastreha të Tiranës.
Sipas Bashkisë së Tiranës, në dispozicion të këtyre familjeve do të vihet një çerdhe, kopsht, shkollë, hapësira kreative për fëmijët e deri në një qendër sociale, duke krijuar kështu të gjitha lehtësirat e mundshme dhe infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin e jetës komunitare.
"Politika jonë e re e strehimit fillon të jetësohet sot, me themelet e një lagjeje të re për të pastrehët. 400 apartamente të reja, me një kredi të negociuar me Bankën e Këshillit të Evropës, me një projekt të standardeve evropiane, për familje që pavarësisht se janë të varfra, meritojnë të jetojnë në një mjedis cilësor, meritojnë të jetojnë jo vetëm në një shtëpi por edhe pranë një hapësire me çerdhe, kopsht, shkollë, qendër shëndetësore dhe park" u shpreh sot kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.
Ai tha se "kjo është politika e re e strehimit, ky është vizioni për strehimin social dhe nëse sot për Tiranën, ne po sistemojmë 400 familje, pas përpjekjesh shumëvjeçare, nesër në qeverinë kombëtare dhe bashkë me qytetarët, ne do të mund të bëjmë një politikë të re të strehimit social në të gjithë Shqipërinë, në të gjitha qendrat urbane, ku kalvari shumëvjeçar i të pastrehëve do të marrë fund dhe ku një derë e re do të hapet për ato familje të cilat nuk arrijnë dot të blejnë në treg, por për këtë arsye nuk mund të jenë jashtë kushteve të jetesës së një shoqërie normale".Â
Fondet për financimin e këtij projekti janë 12 milionë euro, nga të cilat 6.347 milionë euro janë financim me kredinë e marrë nga Banka e Këshillit të Evropës, e cila do të shlyhet nga Bashkia e Tiranës.
Përzgjedhja e familjeve përfituese do të bëhet bazuar në kriteret e përcaktuara në nenin 4 dhe 5 të ligjit Nr. 9232, datë 13.05.2004 "Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane"; Vendimin e Këshillit Bashkiak Nr.7, datë 05.02.2007 "Për miratimin e sistemit të pikëzimit për formularët e strehimit në Tiranë".
k.k/NOA