English

Berisha te Panairi i Punës: Në mandatin e dytë do të dyfishohet numri i punonjësve në biznese

Tiranë, 13 maj NOA - Kryeministri Sali Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e çeljes së edicionit të nëntë të Panairit të Punës, i cili organizohet nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në datat 13-14 maj.

Kryeministri u shpreh gjatë fjalës së tij "se në rast se gjatë këtyre katër viteve qeveria shkurtoi në administratë rreth 30 për qind të vendeve të punës, bizneset punësuan rreth 80 mijë punonjës të përhershëm në sipërmarrjet e tyre".

"Premtimi dhe zotimi im është që gjatë katër viteve që vijnë ky numër të dyfishohet", u shpreh kryeministri Berisha.

Në këtë edicion, 30 kompani më të njohura në vend nga fusha e telekomunikacionit, bankave, ndërtimit, prodhimit, studiove auditues, etj., kanë hedhur në tregun e punës 170 vende të lira për pozicione si ekonomist, jurist, financier, inxhinier, arkitekt, operator teknik dhe agjent shitjeje.

"Jam i inkurajuar se Shqipëria po i reziston krizës. Nëse do të më pyesni mua, unë mund të them se nuk di ndonjë arsye më të madhe se fakti që këto taksa të ulëta sipërmarrësit, anëtarë të Dhomës Amerikane e Tregtisë dhe të të gjitha Dhomave të Tregtisë, i kanë shndërruar në vende punë, i kanë shndërruar në investime, i kanë shndërruar në fuqizime të sipërmarrjeve të tyre.

Ndaj dhe unë dua ti garantoj të gjithë anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe të gjithë biznesmenët shqiptarë se për mua dhe qeverinë time situata aktuale e ekonomisë evropiane dhe botërore është një apel i madh dhe i fuqishëm; të zgjerojmë sa më shumë hapësirat për biznesin, të lehtësojmë sa më shumë barrën burokratike apo fiskale mbi të, t'i ofrojmë atij lehtësirat më të mëdha në kontratat ndër më të leverdishmet për të" u shpreh Berisha.

Sipas tij detyra e qeverisë është të kontribuojnë ndjeshëm në aftësimin e punëtorëve, në kualifikimin e tyre, në trajnimin dhe ritrajnimin e tyre, përshtatjen e tërë sistemit arsimor me tregun dhe kërkesat e tij, ndërsa të tjerat janë tërësisht në duart e sipërmarrësve.

k.k/NOA

KOMENTE