Hollivud, 13 maj, NOA - Ajo ka qenë veçse një foshnjë dy-muajshe kur u fundos anija e famshme e Titanikut. Dhe fati e deshte që të mos shkonte që atëherë në botën tjetër, por të jetonte, dhe madje gjatë.
Millvina Dean, tashmë është plot 97-vjeç, gëzon shëndet të mirë, veçse ka një problem: I duhen para për të siguruar mbijetesën vitet e fundit që i kanë mbetur. Dhe një gjë të tillë kanë vendosur ta bëjnë aktorët e filmit të famshëm i cili tregon historinë tronditëse të anijes së Titanikut.
Kështu, yjet e filmit epik "Titanic", Kate Winslet dhe Leonardo DiCaprio, e kanë ndihmuar të mbijetuarën e fundit nga anija Titanik duke i dhënë para për të paguar qëndrimin e saj në shtëpinë e pleqve.
Aktorët dhe regjisori i filmit James Cameron kanë dhënë 30.000 funte angleze pasi që janë ftuar të ndihmojnë 97-vjeçaren Millvina Dean. Miku i Millvina Dean, shkrimtari irlandez Don Malen, ka themeluar fondin për mbështetje të personit të fundit të mbijetuar nga Titaniku dhe ka lutur aktorët për ndihmë. Millvina, e cila ka qenë foshnje dymuajshe kur është fundosur Titaniku, nuk mund të sigurojë para për të paguar dhomën e saj në shtëpinë e pleqve në Southampton dhe për këtë do të mund të mbetej jashtë. Dhoma kushton 3.000 funte në muaj.
n.e/NOA