Tiranë, 13 maj NOA - Kryeministri Sali Berisha priti sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Arabisë Saudite në Tiranë, Abdullah Al-Abdulkerim.
Berisha vlerësoi aktin e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Arabia Saudite si një kontribut shumë të madh në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit perëndimor dhe si një rikonfirmim të miqësisë së ngushtë midis dy kombeve.
Ambasadori i përcolli Kryeministrit Berisha një mesazh të mbretit Abdullah bin Abdul Aziz Al Saud.
Përmes mesazhit të tij, Kujdestari i dy Xhamive të Shenjta, mbreti Abdullah bin Abdul Aziz Al Saud, i përcjell kryeministrit Berisha përshëndetjet më të përzemërta dhe i shpall angazhimin dhe interesimin e tij personal e të plotë, për të punuar bashkërisht për t'u hapur rrugën investitorëve të rëndësishëm e seriozë të Arabisë Saudite për të investuar në Shqipëri.
Mbreti Abdullah i shpreh Kryeministrit Berisha dëshirën e tij për krijimin e një bordi të përbashkët për të diskutuar mënyrat dhe mjetet për forcimin, rritjen dhe intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve, në interes të së mirës reciproke të dy popujve.
k.k/NOA