English

Ministri i Mbrojtjes Oketa, takon në Pentagon Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Robert Gates

Amerikë, 12 maj NOA - Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa ka zhvilluar një vizitë zyrtare në SHBA, ku është pritur në një takim të veçantë nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes në Pentagon, Robert Gates.

Gjatë këtij takimi u diskutua për ecurinë e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes, kontributet në operacionet paqeruajtëse dhe ecurinë e procesit të reformave në vend dhe në Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

Të dy bashkëbiseduesit kanë vlerësuar bashkëpunimin shumë të mirë dypalësh dhe u angazhuan për ta çuar më tej atë.

Ministri Oketa e njohu Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes, me zhvillimet aktuale në Forcat tona të Armatosura si dhe me objektivat kryesore, që lidhen me modernizmin dhe me zhvillimin e kapaciteteve operacionale dhe asgjësimin e municioneve të tepërta.

Sekretarit Amerikan i Mbrojtjes vlerësoi dhe falënderoi kontributin e Shqipërisë dhe të Forcave te Armatosura Shqiptare në misionet paqeruajtëse në Irak e Afganistan, shprehu edhe njëherë urimet për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe vlerësoi vendimin e qeverisë shqiptare, për të rritur kontributin e paqeruajtësve në Afganistan.

Gates, ofroi mbështetjen dhe ndihmën në vazhdimësi të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Më tej, ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë Oketa dhe Sekretari Amerikan i Mbrojtjes Gates, diskutuan  edhe për situatën në rajon duke e vlerësuar rolin e Shqipërisë si faktor i rëndësishëm stabiliteti.

k.k/NOA

KOMENTE