Nga Sali Berisha*
Kryeministër
"Sot në këtë mbledhje janë 2 çështje kryesore që dua të sjell në vëmendjen e qeverisë dhe të publikut.
Së pari, rezulton se këtë vit është disafishuar numri ï fermerëve që kanë aplikuar për mbështetje nga granti i qeverisë për fermerët. Kjo është një gjë shumë pozitive. Ky aplikim bëhet me projekte të qarta, të studiuara dhe të përcaktuara mirë. Ata që po merren me vlerësimin e projekteve konstatojnë se numri i projekteve fituese është shumë i madh. Në këtë drejtim, veçanërisht është ndezur dhe po ndizet çdo ditë e më shumë ajo që mund ta quajmë "ethja" e ullirit. Për hir të së vërtetës, përmes subvencionimit, janë mbjellë mbi 2 milionë rrënjë ullinj në 4 muaj, pra më shumë se asnjëherë. Pra, për rreth  gjysmë viti, janë mbjellë pothuajse sa gjysma e numrit të rrënjëve të ullinjve që ekzistojnë në Shqipëri, ku janë rreth 5 milionë rrënjë.
Mendoj se të gjithë ata që meritojnë të jenë fitues në grantin e qeverisë, granti le t'u lëvrohet, sipas sezonit dhe specifikave përkatëse, por natyrisht, projekti i ullirit është i pari. Lëvrimi i grantit sipas sezonit, i bën të mundur qeverisë që të japë shtesën e nevojshme për të mbuluar kërkesat e të gjithë fermerëve që kanë aplikuar.
Zoti ministër i Bujqësisë, në këto aplikime, projekti i ullirit duhet të jetë i pari, ndërkohë që të gjitha projektet e tjera do të programohen sipas sezonit, pasi ne e kemi zgjeruar edhe spektrin e projekteve ku mund të aplikohet.
Së dyti, për zonën verilindore dhe juglindore, për zonën nga Delvina deri në Dukagjin, do të përpunohen kritere të reja. Sigurisht që do të synohet fusha e prodhimeve, por për këtë zonë, nuk mund të jenë të vlefshme kriteret e Myzeqesë, të Lezhës, Shkodrës apo Korçës, për këtë zonë ne duhet të përshtatim kritere të tjera, rigorozisht të bazuara në projekte.
Në 3 vjet, pothuajse është dyfishuar prodhimi i frutave në vend. Veçanërisht prodhimi i mollës ka njohur një zhvillim shumë të madh, në rrethin e Korçës, Pogradecit, Kolonjës e Dibrës. Ka rënë ndjeshëm importi i frutave, por akoma edhe më shumë duhet të bjerë. Nuk ka prodhime më të shijshme se prodhimet e kësaj toke, nuk ka prodhime që të jenë sintezë e të gjitha përbërjeve dhe shijeve më të mira. Ashtu siç ka rritje të prodhimit të frutave, ka rritje edhe për zarzavatet, për mishin, bulmetin.
Krahas nxitjes së tyre, ministria e Bujqësisë do të ketë programe informative për fermerët, përmes mediave lokale, sipas profileve dhe fushave. Këto programe duhet të informojnë intensivisht fermerët për çmimet e bursës dhe çmimet e tregut. Duhet t'u kërkohet fermerëve të mos u referohen çmimeve të doganave. Ky është një gabim k madh, sepse në jo pak raste çmimet e doganave kanë synim mbrojtjen e tyre.  Ai duhet të njihet me çmimin e bursës dhe çmimin e tregut dhe më pas, i bën llogaritë vet. E vetmja gjë që nuk duhet të bëjë fermeri shqiptarë është që t'i referohet çmimit të doganës. Konkretisht, për t'i ndihmuar  ata, ne përcaktuam një çmim të lartë për grurin, ndërkohë që gruri në bursë ishte shumë më ulët dhe shumë prej fermerëve, në këtë logjikë,  nuk e shitën grurin por e mbajtën magazine.  Ne duhet të kemi një informacion intensive për fermerët.
Ne do të vazhdojmë me këtë program, sepse ky program po jep efekte të shkëlqyera, krahasuar me akcizën e famshme. E dëgjuat ju sërish kryetarin e opozitës kur foli për akcizën ("ujku qimen e ndërron, zanatin nuk e harron"). Pra, politika e re e çoi sërish tek akciza, sepse akciza përfundon në xhepat e pushtetarëve. Ndërsa investimi në prodhime, agrobiznesi, ulliri, vreshta, bleta, përpunimi i prodhimeve, kapacitetet ftohëse, janë realitete që zhvillohen çdo ditë dhe nuk avullojnë si nafta. Ne do të ndjekim këtë praktikë, por kjo kërkon që zonat juglindore dhe verilindore të Shqipërisë, pra nga Delvina deri në Dukagjin, të kenë skemën e tyre të veçantë, të bazuar mbi sipërfaqen. Jo çdo rreth mund të trajtohet njësoj, mund të përcaktohen kriteret mbi bazë komunash, sepse një pjesë e Dibrës, Lugina e Tropojës, etj, janë ndryshe nga komunat e Lurës, Lekbibajt, apo komuna të tjera.
Problem i dytë shumë i rëndësishëm ka të bëjë me qëndrimin tonë ndaj varfërisë. Studimi serioz i Bankës Botërore, UNDP-së dhe Instituti i Statistikave, dëshmon se në një hark kohor 3 vjeçar, 200 mijë shqiptarë dolën qartësisht nga varfëria. Në muajin maj të këtij viti, 170 mijë qytetarë të këtij vendi që kishin të ardhura mujore nën 2 dollarë, kaluan përtej kufirit të varfërisë dhe kanë ardhura mbi 2 dollarë, 2.2 ose 2.3 dollarë. Kjo është një gjë shumë pozitive.
Por shifrat janë shifra, statistikat janë statistika, dhimbjet dhe vuajtjet janë individuale. Ndaj ne jemi të detyruar të rendim pas këtyre vuajtjeve.
Sot ne vendosim dhënien totalisht falas të teksteve shkollore për arsimin parauniversitar, për të gjitha familjet në ndihmë ekonomike. Shteti qëndron në anën e fëmijëve. Nuk mundet që ai qytetar që ka vështirësi të paguajë shumën e rimbursimit, ta lërë fëmijën e tij pa tekste dhe pa shkollë. Ndaj dhe fëmijët e të gjitha familjeve shqiptare që janë në skemën e ndihmës ekonomike, do të kenë tekstet e paguara nga qeveria. Ky hap është shumë i rëndësishëm në rrafshin njerëzor, por është shumë i rëndësishëm edhe për arsimin. Nuk do të ketë më nxënës që t'u mungojnë librat në shkollë. Ky është një hap i parë i madh në këtë drejtim.
Një problem tjetër madhor mbetet një kontingjent i kufizuar njerëzish, të cilët në tërësi janë nëna me fëmijë jetim, ose dhe burra të tillë, ose të divorcuar apo në fatkeqësi. Nëse lexoni me vëmendje studimin e BB-së, vihet re se gjënë më pozitive që ka ai, është fakti se tregon një rënie të ndjeshme të varfërisë së skajshme. Një rënie prej rreth 60 për qind. Por sërish ka varfëri. Në mënyrë absolute nuk duhet të ketë varfëri të skajshme. Ky duhet të jetë vendimi ynë. Me shpejtësi, ne duhet të zhdukim varfërinë e skajshme.
Prefektët kanë filluar ët bëjnë një punë shumë të mirë, qeveritë vendore gjithashtu. Dora dorës ato po identifikojnë këto familje që nuk janë kaq të shumta, por që ekzistojnë. Ndaj këtyre familjeve, skema e ndihmës ekonomike do të jetë tjetër. Një qytetar i një fshati të Lezhës më drejtohet në mënyrë të përsëritur dhe me tregon se ka 9 fëmijë për të rritur. Edhe unë interesohem për të në mënyrë të përsëritur, por nuk është kjo zgjidhja. Zgjidhja duhet të jetë ligjore, ne duhet të kemi të gjitha përgjegjësitë për ta ndihmuar atë. Ky është rasti më i avancuar, pro ka edhe të tjerë me 3 fëmijë, me një pension, apo me një rrogë, ose një familje që për një arsye apo një tjetër, kryefamiljari ka rënë në burg, ka vdekur, apo është sëmurë rëndë.
Duhet të detajohet sa më shpejtë skema e familjeve në nevojë ekstreme. Ne japim 150 milionë euro ndihmë sociale. Ne e kemi mbi dyfishuar këtë fond, ka qenë 7 miliardë, e kemi bërë 15 miliardë, pa llogaritur aspekte të tjera të ndihmës për këtë kategori. Por absolutisht ka defekte shumë serioze në skemën e shpërndarjes. Në rast se ky fond nuk mjafton, kjo qeveri është e gatshme të vendosë të tjera. Por kjo qeveri nuk mund të bëjë asnjë hap përpara, pa një rishqyrtim të transparencës dhe ndershmërisë së aplikimit të kësaj skeme. Unë kam të dhëna shumë të qarta se kjo ndihmë shpërndahet nga këshillat komunal e bashkiak, sepse ato janë përgjegjëse për këtë gjë, me një farë barazitizmi, që vjen tërësisht nga koncepti dhe mentaliteti socialist, sepse në atë periudhë kur shqiptarët ndanin varfërinë, mendohej se pothuajse të gjithë ishin njëlloj dhe meritonin njësoj. Ky koncept duhet të zhduket. Nuk mund të jetë njësoj ai qytetar që merr 400 apo 500 dollarë në muaj me atë që merr 180-200 dollarë në muaj. Nuk është njësoj ekonomia e atij qytetari që ka 1 apo 2 fëmijë me atë që ka 5 - 6 a 9 fëmijë.   Duhet t'i lëmë mënjanë këto barazi që nuk bëjnë gjë tjetër veçse thellojnë varfërinë.
Detyra jonë është një shpërndarje dhe një përkujdesje e veçantë e të ardhurave. Asnjë qeveri nuk ka rritur, me 3 për qind të GDP-së, shpenzimet sociale. Ato kanë qenë 6 për qind dhe ne i bëmë 9 për qind. Kjo nuk do të thotë të përdorim këtë koncept të vjetër.
 Sot janë një seri marrëveshjesh shumë të rëndësishme. Sot miratohet lista e re e rimbursimit të barnave. Kjo listë është më e gjera që është miratuar ndonjëherë nga ndonjë qeveri tjetër, por edhe nga kjo qeveri që është sot. Kjo listë është produkt  i një konsulte të gjerë dhe i respektimit të ndjeshmërive dhe kërkesave të ndryshme. Kjo listë u bë e mundur të zgjerohet në mënyrë të ndjeshme, me rreth 70 artikuj të rinj, në sajë të performancës së mirë financiare, në sajë të menaxhimit shumë më të mirë të fondeve të përcaktuara për rimbursimin e barnave, të një transparence të përgjithshme më të madhe në tregun farmaceutik. Unë e konsideroj këtë një zhvillim shumë pozitiv. Instituti i Sigurimeve Shëndetësore, jo vetëm që përballoi  plotësisht me fondet, skemën e zgjeruar tashmë të listës së rimbursimit, por dora-dorës po bëhet  blerës kryesor i të gjitha shërbimeve shëndetësore, gjë e cila përbën bazën e një reforme të thellë shëndetësore që ne do të ndërmarrim që vitet e para të mandatit të dytë.
Një tjetër vendim i rëndësishëm i mbledhjes së sotme është vendimi për pagën minimale në shkallë vendi, e cila pëson një rritje  nga 170 në 180 mijë lekë. kjo është paga minimale në shkallë vendi, pasi paga në sektorin publik është më e lartë. Për shkak të  sektorit privat, ne ndjekim një politikë të butë në rritjen e kësaj page, në mënyrë që të mos jemi agresivë në rritjen e pagave të sektorit publik. Megjithatë, një raport i Bankës së Shqipërisë, jashtëzakonisht pozitiv, dëshmon se rroga në sektorin privat janë rritur më shumë se në sektorin publik, i cili i ka rritur rrogat me një mesatare 68 për qind, gjatë këtyre 4 viteve. Banka e Shqipërisë dëshmon se kjo rritje është më e madhe në sektorin privat. Ky është një zhvillim shumë pozitiv.
Sot gjithashtu miratohet vendimi për parqe eolike. Ky është një interes shumë i madh, që i bashkëngjitet synimit "Shqipëria, superfuqi e vogël energjetik në rajon".
Pra, siç ju e shihni, kjo qeveri është në kapacitet të plotë qeverisjeje dhe në kapacitet të plotë elektoral".
(*) Fjala e mbajtur në mbledhjen e Këshillit të Ministrave