Tiranë, 13 maj/NOA - PSV 91 organizoi një takim në Paskuqan, me anëtarë dhe simpatizantë, ku u vendos konstituimi i degës së PSV 91 për Paskuqanin dhe u diskutua për çështje të fushatës dhe prioritetet e saj.
Në fjalën e tij, Kryetari i PSV 91, Petro Koçi theksoi nevojën e përfaqësimit të të gjithë socialistëve në këto zgjedhje dhe faktin që të gjithë socialistët i duhen elektoratit të majtë, për të arritur një fitore në këto zgjedhje.
"E majta nuk mund të fitojë në këto zgjedhje pa kontributin e të gjithë socialistëve, përfshi këtu dhe figura me kontribut në PS, si Fatos Nano, Servet Pëllumbi, etj. E majta nuk mund të vijë në pushtet duke luftuar kundër Nanos", - deklaroi koçi.
Në fakt, ky qëndrim pati një reagim të mirë nga të pranishmit.
Petro Koçi theksoi se ky nuk është një qëndrim i koordinuar, por një zhvillim logjik që do i shërbejë fitores të së majtës në 28 qershor.
Ndarjen e së majtës në tre parti kryesore, Koçi e cilësoi si një mundësi më shumë e jo si përçarje, për faktin se në këtë mënyrë, gjithkush ka mundësi t'i bashkohet asaj force politike që qëndron më afër aspiratave të veta.
Të gjithë folësit theksuan nevojën dhe u bënë thirrje të pranishmëve të pajisen sa më parë me letërnjoftimet e reja dhe të marrin pjesë në zgjedhje masivisht.
e.l/NOA