English

Presidenti i Bankës Botërore: Bota po përballet ende me nivel të lartë pasigurie

Uashington, 13 maj, NOA - Bota ende po përballet me një nivel të lartë pasigurie ekonomiko- financiare dhe nuk dihet se sa do të vazhdojë kjo gjë. Gjithsesi, ajo nuk duhet ta lërë veten të mpihet nga ky lloj efekti, por duhen gjetur rrugët për të ecur para.

Një fakt të tillë e ka deklaruar presidenti i Bankës Botërore, Robert Zollik, sipas të cilit parashikimi për ekonominë globale mbetet i pasigurt, por gjithsesi, hedh idenë për të parën herë se është Kina ajo që mund të ndihmojë për rimëkëmbjen e ekonomisë botërore.

"Ne ende përballemi me një nivel të lartë pasigurie. Por sigurisht do të ishte një gabim i madh të lejonim pasigurinë të na paralizonte", mësohet të ketë thënë ai.

Presidenti i Bankës Botërore tha se meqenëse kjo rënie ekonomike është globale, rimëkëmbja mund të jetë më e ngadaltë dhe graduale. Por ai tha se Kina mund të luajë një rol pozitiv.

"Mendoj se një shenjë pozitive mund të jetë se Kina mund të na befasojë në kuptimin e mirë. Kina veproi me shpejtësi dhe me agresivitet për të stimuluar kërkesën dhe ka pasur disa shifra mjaft pozitive për tremujorin e parë", është shprehur Zollik.

Sipas tij, kur analizon numrat nga afër, të dhënat pozitive nga Kina vijnë kryesisht nga shpenzimet qeveritare dhe mbetet për t'u parë kur sektori privat i vendit t'i rrisë përsëri investimet.

Gjithsesi, ai tha edhe se kishte vënë re një farë optimizmi mes udhëheqësve botërorë që takoi muajin e kaluar në takimin e nivelit të lartë të Grupit të 20-ës në Evropë.

Nga ana tjetër, Zollik i inkurajoi udhëheqësit e biznesit që të investojnë në tregje në zhvillim, duke thënë se ato do të paraqisnin shanse të reja kur bota të dalë nga kriza aktuale.

n.e/NOA

KOMENTE