English

PS, Balla: Berisha të japë përgjigje pse djali i tij ka përdorur firmën, vulën, karrigen e kryeministrit

Tiranë, 13 maj NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla ka dhënë sot një deklaratë për shtyp para godinës së kryeministrisë ku ka kërkuar që Berisha të japë shpjegime për shqiptarët për veprimet e familjarëve të tij.

"Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Këshilli i Ministrave, duhet të marrë vendime që lidhen me politika e përgjithshme shtetërore. Merr vendime se si do të investohen paratë e shqiptarëve, merr vendime se si do të jepen me koncesion apo do të privatizohen pasuritë e shqiptarëve, merr vendime se si do të investohen paratë e shqiptarëve në investime publike. Ky duhet të ishte orientimi i vërtetë për një qeveri që punon për shqiptarët. Por, në realitet kjo qeveri në këto 4 vite nuk ka punuar në interes të shqiptarëve" u shpreh Balla.

Sipas tij interesi i vetëm i kësaj qeverie, i këtij Këshilli të Ministrave, ku sapo janë mbledhur edhe ministrat, ka qenë interesi i familjes dhe oborrtarëve të Sali Berishës. "Është e pafalshme, por edhe e pakuptueshme, pse Sali Berisha vazhdon ende të mos japë përgjigje, se pse ministra të tij, si ai i drejtësisë, Aldo Bumçi, raportonte për vendime dhe për sugjerime të Ministrisë së Drejtësisë, jo tek babai, por tek i biri. Kjo është shkresa ku Aldo Bumçi i drejtohet Shkëlzen Berisha" shtoi më tej deputeti i PS-së Balla.

Në deklaratën e tij Taulant Balla shtoi se "Sali Berisha duhet të japë përgjigje pse djali i tij ka përdorur firmën, vulën, karrigen e Kryeministrit, për t'u vënë në dispozicion të një biznesi vrastar, si ai i Gërdecit".

k.k/NOA

KOMENTE