English

Sot skadon afati për regjistrimin e koalicioneve, në KQZ vetëm Poli i Lirisë

Tiranë, 13 maj, NOA - Dita e sotme përkon zyrtarisht me atë të përmbylljes së afatit për paraqitjen pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga ana e partive politike listimin e koalicioneve zgjedhore sesi ato do të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën për procesin e 28 qershorit.

Por sipas të dhënave, është vetëm Poli i Lirisë, ai që ka përmbushur detyrimin ligjor të paraqitjes së koalicionit të tij pranë institucionit që mbikëqyr dhe rregullon zgjedhjet në vendin tonë, ndërsa të tjerët pritet që ta bëjnë në momentin e fundit një gjë të tillë.

Ndërkaq, gjatë këtyre ditëve janë ravijëzuar edhe tre koalicione të tjera politike për zgjedhjet. Njëri prej tyre, ai i së majtës, u prezantua ditën e djeshme dhe ka në përbërje të tij Partinë Socialiste, grupimin G99, Partinë Socialdemokratë dhe Demokracinë Sociale.

Por një koalicion tjetër i majtë ndërkaq, është edhe ai që përfshin Lëvizjen Socialiste për Integrim me partinë PS '91.

Kurse koalicioni i djathtë nga ana e tij, vetëm para pak ditësh ravijëzoi aleancën e fundit me Lidhjen Demokristiane të Shqipërisë, e kryesuar nga Nikollë Lesi.

Pikë kyçe, ende e pasqaruar mbetet ajo e qëndrimit të Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, se me kë ajo do të preferojë të bashkohet në këto zgjedhje.

Kryesia e kësja partie në mbledhjen e saj të djeshme nuk ka mundur ta përmbyllë një gjë të tillë, ndërsa pritet që kjo të qartësohet ditën e sotme, ditë në të cilën në fakt përfundon edhe afati ligjor për paraqitjen e koalicioneve zgjedhore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

n.e/NOA

KOMENTE