Nga bashkëpunëtori ynë në Athinë
Athinë, 13 maj NOA/Update - Një djalë 26-vjeçar, emigrant nga Shqipëria, është arrestuar në Greqi, i dyshuar si bashkautor i vrasjes më 5 mars të këtij viti, të punonjësit të policisë, Mihalis Spanudhakis.
Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë për Agjencinë e Lajmeve NOA, se i riu shqiptar përballet pas prangosjes, me akuzat e grabitjes, armëmbajtjes pa leje, vrasjes në bashkëpunim, prishje të qetësisë publike, e të tjera.
Sipas policisë, i dyshuari ka pranuar krimin dhe ka treguar gjithçka kishte ndodhur në ditët e para të marsit, duke pohuar se vetëm vdekje në ngjarje nuk do të dëshironte.
Investigimi
Episodi tragjik ndodhi më 5 mars të këtij viti. Ka qenë vëllai i policit të ndjerë, ai që ka zbuluar të dyshuarin e vrasjes deri duke siguruar vetë ai, edhe prova filmike.
Spanudhakis ka akuzuar policinë për keqpërdorim dhe paaftësi në zbulimin dhe paken e vrasësit të vëllait të tij 36-vjeçar Mihalis që u vra pas një grabitjeje më 5 mars 2009 në Nikea, lokalitet në kryeqytetin grek, Athinë.
Manolis Spanudhakis, duke folur për televizionin qendror grek, Alpha, tha se u detyrua të vijë nga Kreta në Athinë dhe të kryejë vetë investigim për gjetjen e vrasësit të vëllait.
Manolis, tha se arriti të sigurojë një video që kishte regjistruar pamje filmike nga momenti i ngjarjes ku edhe identifikoi autorin e krimit.
Kjo video që i përkiste një kioske përballë bankës, 12 ditë pas zbulimit, u dorëzua prej tij në polici. Në të demonstrohej 26 vjeçari shqiptar duke dalë nga banka e Qipros (Kiprios Bank) në Nikea dhe pak metra më tutje, duke hapur zjarr ndaj policit që e la të vrarë dhe u zhduk me shpejtësi.
"Këto skena u regjistruan nga shumë kamera madje janë bërë dhe fotografi, por policia nuk i siguroi kurrë ato dhe u desh të merrem unë dhe t'ia çoj atyre", nuk fshehu habinë, vëllai i të ndjerit.
Arrestimi
Një operacion i posaçëm u krye të Mërkurën nga policia greke. Ajo arriti të sigurojë të dhëna se i dyshuari qëndronte në zonën e sheshit "Omonia". Pikërisht atje, në mbrëmje, i dyshuari u rrethua në një kafene të populluar rëndom nga shqiptarë.
Gjatë dhe pas prangosjes, i arrestuari mohoi në mënyrë të prerë, çdo përfshirje në krim.
Por paraditen e sotme (e Enjte), kur iu treguan dhe pamjet filmike, u dorëzua dhe rrëfeu gjithçka, por duke theksuar se "nuk doja në asnjë mënyrë që të arrestohesha".
Drejtori i Policisë së Atikës, Janis Dhikopulos, citoi se 26-vjeçari emrin e të cilit refuzoi ta publikojë, pranoi se mesditën e 5 marsit u gjend në rrugën "Dionisios Solomu" të Nikeas ku grabiti bankën e Qipros.
I dyshuari, kishte hyrë në mënyrë klandestine në Greqi, më 6 janar të këtij viti dhe dy ditë më vonë, më 8 janar, nisi serialin e grabitjeve të bankave.
Ai rrëfeu se arriti pa shumë vështirësi të grabiste bankën, por kur doli, ndërsa donte të zhdukej, u përball me policin Spanudhakis i cili në ato momente gjendej jashtë shërbimit.
I riu tha se hapi zjarr ndaj policit, duke e qëlluar katër herë me një pistoletë të cilët tha se më pas e hodhi, duke mbajtur me vete qesen me para që vodhi në bankë dhe u largua nga vendi i ngjarjes.
Ai ishte larguar me vrap duke marrë rrugën "Mantika" dhe më tej atë "Petru Rali".
Gjatë këtyre dy muajve, i dyshuari ndërronte herë pas here hotele që të mos ndiqej nga policia.
Policia tha se i dyshuari, është përgjegjës edhe për 12 grabitje bankash dhe zyrash shërbimesh publike në Athinë brenda pesë muajsh, së bashku me gjashtë persona të tjerë, të gjithë shqiptarë, të cilët për momentin mbeten në liri.
Vetë i dyshuari pranoi se ka grabitur 12 banka dhe zyra postare në Athinë dhe Pirea, nga janari deri në maj të këtij viti, kurse shprehu keqardhjen dhe pendimin për krimet e kryera.
n.s/NOA