English

Basha në Peqin, akuza të forta Edi Ramps për klientelizëm

Peqin, 13 maj NOA - Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, ka akuzuar Edi Ramën se, modeli i tij, prej gati 10 vjetësh në pushtet, është ai i shërbimit të një klientele të ngushtë.

Në takimet me banorë të komunave Përparim, Gjocaj dhe Karin, Ministri Basha tha se, pasurimi i tij dhe i një grupi biznesmenësh ka qenë në qendër të modelit qeverisës të Ramës, model që ai kërkon ta shtrije në të gjithë Shqipërinë.

"Edi Rama ka një model, një model më shumë se 10-vjeçar, pa ndërprerje në krye të pushtetit. Cili është ky model? Ky është modeli i një klientele të ngushtë njerëzish të cilët, me abuzimin dhe korruptimin e plotë të pushtetit, vjelin djersën, mundin, frytet e shqiptarëve nëpërmjet hinkës së pushtetit dhe i kanalizojnë ato në xhepat e z. Rama dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë", theksoi Basha.

Përtej të majtës dhe të djathtës, anash të majtës dhe të djathtës, - vijoi ai, - nuk ka të bëjë as me të djathtën, as me të majtën por ka të bëjë vetëm me një grusht biznesmenësh të cilët i ka përdorur për interesat e tij korruptive dhe që shpresojnë se, më 28 qershor, interesat e tyre korruptive t'i shtrijnë në gjithë Shqipërinë".

Për Bashën, "ky model i Edi Ramës, tenton të shtrohet si një alternativë përballë një ndryshimi të ofruar nga mazhoranca përmes shkollave të reja, rrugëve të ndërtuara dhe asfaltuara, rritjes së pagave e pensioneve, integrimit në NATO dhe, së shpejti, liberalizimit të plotë të vizave me Bashkimin Evropian".

e.l/NOA

KOMENTE